Dje, në Villafranca të Italisë, u zhvillua gara kombëtare e Kampionatit Italian të Karatesë, me pjesëmarrjen e mbi 700 sportistëve nga mbarë vendi. Nuk kishte si të mungonte nënkampionia e botës, Mikela Skandaj, e cila garoi në peshën 60 kg, në dy disiplinat: kata dhe kumite.
Edhe pse bën pjesë në grupmoshën 16-17 vjeçe, trajneri i saj vendosi të eksperimentonte duke e aktivizuar talenten lezhjane edhe te 18-vjeçaret, për t’i rritur vetëbesimin për të ardhmen. Rezultati ishte mbresëlënës: Mikela u ngjit plot 4 herë në podium, duke triumfuar me klasin e saj të lartë.
Aktiviteti zgjati nga ora 09:00 e mëngjesit deri në 20:00 të mbrëmjes, me një kalendar tepër të ngjeshur për sportisten. Megjithatë, përveç rivaleve në tatami, Mikelës iu desh të përballej edhe me gjykimin e njëanshëm të arbitrave, të cilët tentuan ta pengonin në disa momente.
Episodi më skandaloz ndodhi në finalen e tretë. Pasi kishte fituar dy medalje të arta dhe po kryesonte 3-1 në finalen e radhës, kur mungonin vetëm 5 sekonda nga fundi, juria fiku ekranin duke fshirë pikët. Pas reagimit të Mikelës dhe më pas të trajnerit të saj – të cilëve arbitrat u kërkuan të heshtnin – stafi kërkoi ndërhyrjen e jurisë qendrore dhe rishikimin e pamjeve filmike. Pas 23 minutash verifikime, drejtësia u vu në vend dhe Mikela u kurorëzua me medaljen e tretë të artë.
Në sfidën e fundit, atë të grupmoshës 18 vjeçe, 17-vjeçarja nuk u mjaftua me tri sukseset e mëparshme, por siguroi edhe finalen e katërt radhazi. Nën vëzhgimin e rreptë të arbitrit të jurisë qendrore, ndeshja shkoi drejt shtesës, derisa Mikela lëshoi një goditje befasuese dhe vendimtare, që detyroi gjyqtarin të mbyllte takimin në favor të saj.
Me këtë sukses të radhës, Mikela Skandaj e çon në 78 numrin total të medaljeve në karrierën e saj.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


