I lindur në Shkodër dhe sot pjesë e Hearts në Skoci. Historia e Sabah Kerjotës është nga ato që vështirë se i beson. Kjo është hyrja me të cilën niset gazetari italian, Gianluca di Marzio, i cili ka patur në fokusin e tij, një intervistë shumë të veçantë me sulmuesin e Shqipërisë, i cili ka treguar shumë prapaskena interesante, por njëkohësisht ka paralajmëruar zhvillime shumë të rëndësishme për të ardhmen.
“Nuk u dorëzova kurrë”, i përgjigjet Kerjota Di Marzios, ndërsa vijon më tej: E dija që jeta ime mund të ndryshonte nga një moment në tjetrin. Këtu në Skoci ndihem mirë, gjithçka është e bukur, po të mos ishte për të ftohtin (qesh).
U transferua te Hearts një vit më parë dhe pasi iu desh pak kohë të përshtatej, u bë lider i skuadrës skoceze. “Mund të them vetëm fjalë të mira për Edinburgun. Gjëja më e bukur? Të luash kundër skuadrave të mëdha si Celtic apo Rangers. Për një futbollist, të hysh në ‘Celtic Park’ apo në ‘Ibrox’ është një ëndërr. E njëjta gjë vlen edhe kur luajmë në shtëpi, në ‘Tynecastle'”. Shifrat për Kerjotën mbeten mbresëlënës në një nivel ku ai ka zgjedhur të luajë. Tre gola dhe shtatë asistime në të gjitha kompeticionet në 42 paraqitje.
Në artikull përmendet edhe krahasimi mes përvojave, ku fillimisht Kerjota bën hapin e parë në Serie D, më konkretisht nga Sambenedettese. Shqiptari nga Shkodra shpjegon vështirësitë e të përshtaturit në aventurën e re: M’u desh të përshtatesha me këtë aventurë. Nuk mjafton teknika, duhen fizik dhe vrapim. M’u desh të stërvitesha shumë.
Të enjten vjen Conference League. Në orën 18:45 ekipi i tij do të zbresë në fushë për të luajtur me Monacon. Dukshëm, sfidë e vështirë dhe me shumë kërkesë për force më tepër për karakterin e lojës. “Pres një ndeshje të fortë, por tifozët tanë na japin gjithmonë një mbështetje të madhe, nuk do të jemi vetëm”. Do të duhet të mbahet lart përqendrimi: “Dy ditë më vonë do të përballemi me Celtic në kampionat, ndaj do të na duhet të menaxhojmë edhe energjitë”.
Kur erdhi ftesa nga Kombëtarja. Çfarë ndjesie për Kerjotën që e shpreh te gazetari Di Marzio në mënyrën e tij. “Emocion i papërshkrueshëm. Nuk di si ta shpjegoj. Nuk kam debutuar ende, por do bëj maksimumin për të shfrytëzuar mundësitë e radhës. U stërvita me lojtarë që pak muaj më parë i shihja vetëm në televizor.” Kerjota është i vendosur për të ecur përpara, ndonëse shansi për debutimin nuk i erdhi deri më sot.
Mesazhi që i adreson të tjerëve, shumë i çmuar: Në futboll duhen cilësi, fat, por duhet edhe të bësh llogaritë edhe me dëmtimet. Megjithatë, u them gjithmonë mos të dorëzohen kurrë.
Ëndrra më e madhe e Kerjotës është të luajë në Serie A. Megjithatë, plani duhet të ndiqet shkallë shkallë dhe pikë së pari ai ndihet i lumtur aty ku është, te Hearts.


