FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORETre rezultate pozitive rradhazi, Vllaznia kërkon vazhdimësinë

Tre rezultate pozitive rradhazi, Vllaznia kërkon vazhdimësinë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia po kalon një moment pozitiv në kampionat, teksa tre ndeshjet e fundit kanë sjellë një seri rezultatesh që kanë rikthyer besimin te skuadra shkodrane. Kuqeblutë kanë arritur të marrin tri rezultate pozitive radhazi, duke grumbulluar 7 pikë nga 9 të mundshme dhe duke regjistruar një ecuri që nuk ishte parë prej tyre që në javët e para të këtij kampionati.

Në fakt, vetëm në dy javët e para të sezonit Vllaznia kishte mundur të merrte pikë në dy ndeshje radhazi. Shkodranët e nisën kampionatin me barazimin 2-2 ndaj Skënderbeut, përpara se një javë më pas të ndanin sërish pikët, këtë herë në shifrat 1-1 ndaj Elbasanit. Pas kësaj, rezultatet nuk patën të njëjtën vazhdimësi, duke bërë që kjo seri të mbetej e papërsëritur për një periudhë të gjatë.

Por tashmë kuqeblutë kanë thyer këtë “rekord” të sezonit. Gjithçka nisi me barazimin 1-1 ndaj Skënderbeut, për të vijuar më pas me një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Elbasanit. Serinë e kompletoi suksesi i fundit në transfertë, 0-1 ndaj Partizanit, një rezultat që i dha Vllaznisë jo vetëm tri pikë të çmuara, por edhe fitoren e parë jashtë fushe për këtë sezon.

Bilanci i këtyre tri takimeve është mjaft pozitiv për skuadrën shkodrane: dy fitore, një barazim dhe vetëm një gol i pësuar. Në total, 7 pikë të marra nga 9 të mundshme, një tregues i qartë se Vllaznia ka gjetur një stabilitet më të madh në rezultate. Veçanërisht suksesi në transfertë ndaj Partizanit i jep vlerë kësaj ecurie, pasi kuqeblutë më në fund kanë thyer edhe një tjetër tabu të këtij sezoni.

Kjo seri vjen në një moment të rëndësishëm të kampionatit dhe i jep skuadrës mundësinë për të vijuar ngjitjen në renditje. Pas një starti jo në nivelin e pritshmërive, Vllaznia po tregon shenja përmirësimi, ndërsa rezultatet e fundit dëshmojnë se ekipi mund të jetë më konkurrues në vazhdimësi. Megjithatë, për të konfirmuar këtë kthesë, nevojitet që kjo ecuri të mos mbetet thjesht një seri e shkurtër.

Për këtë arsye, 9 herë kampionët e vendit do të kërkojnë ta përmirësojnë edhe më tej këtë bilanc në javën e 13-të. Sfida e radhës do të jetë ndaj Laçit, një tjetër përballje ku Vllaznia do të synojë të vijojë serinë e rezultateve pozitive dhe të marrë një tjetër trepikësh. Një sukses në këtë takim do të ishte konfirmimi më i mirë se kuqeblutë kanë hyrë në një tjetër ritëm në kampionat.t

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments