Pas suksesit në Conference League, Egnatia fiton edhe në kampionat. Në javën e 13-të të “Abissnet Superiore”, skuadra rrogozhinase mposhti Elbasanin me rezultatin 2-1 në një ndeshje që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH(RTSH1 dhe RTSH Sport).
Në “Arena Egnatia”, në ndeshjen që mbylli javën e 13-të, rrogozhinasit arritën të zhbllokojnë sfidën me anë të Montenegros pas gabimit të bërë nga portieri i elbasanasve, Totoshi. Ndërkohë, Diabate pa ti anulohet një gol për pozicion jashtë loje pesë minuta para përfundimit të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë Egnatia arriti të dyfishojë shifrat me Diabate, ndërsa verdheblutë reaguan tre minuta më vonë duke ngushtuar shifrat me anë të Tresës. Në një ritëm të lartë loje, rastet për shënim nuk munguan deri në fund, por rezultati mbeti i pandryshuar.
Me këtë fitore, Egnatia në vend të parë ngjitet në kuotën e 30 pikëve, ndësa Elbasani mbetet me 17 pikë në vend të 6-të.


