Të gjithë e dimë që pandemia Covid-19 është bërë shkak që shumë sporte të kene të pamundur zhvillimin e tyre. Ndonëse për pak kohë bëhet një vit nga ndërprerja e aktiviteteve të lojrave me dorë, startimi i tyre ndodhet ende shumë larg.

Ndërkohë që vendimi për rifillimin e këtyre sporteve nuk është bërë akoma i ditur nga autoritetet përkatëse, sekretari i përgjithshëm i FSHV Albens Vokopola në një intervistë të dhënë për RTSH Sport thekson që e sheh të paarsyeshme bllokimin e këtyre sporteve.

Vokopola i bën apel Ministrisë së Sportit dhe asaj të Shëndetësisë që të japin dritën jeshile për të rinisur aktivitetet e tyre.

Ndërkohë tregon për vendimin që kanë marrë si Federatë duke i dhënë mundësi sportistëve shqiptarë të luajnë dhe aktivizohen në kampionatin e Kosovës pasi kjo pausë po i dëmton ata.

Sipas tij situata në të cilën ndodhemi është paradoksale pasi në të gjithë Europën këto sporte janë duke u luajtur. Ai shpreson për një rifillim sa më të shpejtë në mënyrë që kjo gjë mos të ndikojë edhe në performancë të ekipeve kombëtare.
Ketjola Gështenja