“Si lojtar preku majat, ndërsa si trajner gjithçka po nis në një vend të vogël. Tani në moshën 45-vjeçare ai po feston sukseset e para nga jashtë vendit. Tomas Brdariç ishte pjesë e formacionit bazë të Bajer Leverkusenit në finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 2002 kundër Realit të Madridit. Ai mbajti veshur edhe fanellën e kombëtares gjermane në tetë ndeshje.

Si trajner, tani ka nisur të shijojë sukseset. Pas largimit nga Erfurti, Brdariç niset drejt Shqipërisë, aty ku fati po i buzëqesh. Me Vllazninë renditet në vendin e parë të kampionatit shqiptar. Dhe kur mendon që klubi i tij i shpëtoi rënies nga kategoria sezonin e kaluar”.

Është ky përshkrimi që bën media prestigjioze gjermane “Expres.de” për trajnerin e Vllaznisë, teksa i ka marrë një intervistë, ku ai tregon për jetën në Shqipëri dhe synimet që ka. Suksesi i Brdariçit po bën jehonë në Gjermani dhe mediat e kanë telefonuar shpesh trajnerin e kuqebluve këtë periudhë. Një reklamë e mirë edhe për vetë kampionatin shqiptar…

Thomas, përse pikërisht Shqipëria?

Për mua është një hap përpara. Kam mundësi të punoj në një vend ku të gjithë janë të çmendur pas futbollit. Rëndësi kanë vetëm rezultatet. Jemi duke krijuar diçka këtu, por njerëzit nuk duan t’ia dinë për këtë gjë, ndaj është mirë për të qenë me këmbë në tokë dhe të punojmë në kushte të vështira.


Sa i fortë është kampionati dhe si është puna juaj atje?

Sigurisht që ka pengesa. Koronavirusi ka pasur ndikimin e vet, ashtu si kudo. Infrastruktura nuk është më e mira. Këtu në Shkodër qëllimi ishte të ndërtohej një skuadër e re. Duhet të vendosim qëllimet tona, ashtu siç punojnë shumë klube profesioniste për të luajtur në Europë.

Çfarë përshtypjeje keni nga Shqipëria?

Tre milionë njerëz jetojnë këtu, aq sa në të gjithë Berlinin. Gjithçka është përqendruar në Tiranë, që për njerëzit e rinj është një qytet modern dhe i madh. Nuk mungojnë restorantet dhe klubet e natës, gatimi është gjithashtu për t’u admiruar. Shkodra është nga natyra një vend i qetë, i rrethuar nga malet, ndërsa deti është vetëm 30 minuta larg. Këtu mund të jetohet, njerëzit ia kanë dalë që edhe pse në kohë pandemie, të mos mbyllen totalisht.


Si është niveli i ligës në Shqipëri?

Këtu ka shumë lojtarë të mirë, por ata mund të shprehen vetëm nëse infrastruktura do të jetë më e mirë. Ky është një problem i madh. Disa kushte të këqija të stërvitjes as që nuk mund t’i mendoni.

Qëllimi juaj cili është, titulli kampion?

Jemi të përulur, sepse kemi ardhur nga një ndeshje “play out”. Tani kemi pasur një sukses të madh dhe ndodhemi në vend të parë. Ta mbash këtë pozicion është një sfidë e madhe. Në fillim askush nuk besoi te ne, por tani e gjithë Shqipëria flet për ne.


Janë vendimet e arbitrave një problem ashtu si në të gjithë Europën jugore?

U kam kërkuar djemve që të shënojnë 2-3 gola për të shmangur këtë pyetje.

I ndiqni ish-skuadrat tuaja në Gjermani?

Sigurisht. Ndjek çdo ditë kampionatet kryesore, por Bajer Leverkusenin më shumë. Ata kanë një trajner shumë të mirë. Unë kam qëllime të ngjashme me të.

Cili ekip e fiton Bundesligën këtë sezon?

Leverkuseni ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Mendoj që Bajerni është shumë kilometra larg.