Pas 9 javës, Ada është rikthyer sot sërish tek fitorja dhe për më tepër ka fituar në transfertë me ekipin “Kukësi B”. Velipojakët kanë fituar me rezultatin 3-2 në një takim që ka dhuruar emocione.

Fitorja e fundit ka qenë ajo e javës së 15-të në transfertë ndaj Internacional me rezultatin 1-0 falë golit të Çapalikut.

Ndërkohë, pasditen e sotme skuadra e drejtuar nga trajneri- lojtar Vahedin Pepa ka marrë një trepikësh shumë emocionues në ndeshjen e luajtur në Kukës.

Kukësi B ka shënuar i pari që në minutën e 3-të me anë të Domit, por Velipojakët kanë barazuar me anë të Perndrecajt në minutën e 16-të megjithatë vendasit kanë shënuar sërish me anë të Peposhit në minutën e 25-të. Pjesa e parë në këtë mënyrë do të mbyllej me fitoren e skuadrës së drejtuar nga Edmond Dalipi.

Por pjesa e dytë do të ishte krejt tjetër. Ada e rrit shumë lojën e saj dhe në minutën e 60-të Koçeku do të barazonte rezultatin por ajo nuk do të ndalej këtu.

Tre minuta më vonë, do të ishte lojtari me shumë përvojë Semir Gokaj ai që do të shënonte golin e tretë dhe të fitores për Adën që kësisoj ka triumfuar me rezultatin 3-2.
© shkodrasport.com