Kampionati i kategorisë së dytë do të fillojë javën e ardhshme dhe skuadrat po i japin dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjet e javës së parë dhe natyrisht që po shohim edhe mundësitë për t’u përforcuar me ndonjë lojtar tjetër.
Kështu po vepron edhe Ada e cila e ka të nevojshme të ketë më shumë lojtarë cilësorë në dispozicion dhe mbi të gjitha lojtarë me eksperiencë.
Kjo ka qenë edhe arsyeja që trajneri Vahedin Pepaj po tenton të bëjë pjesë të skuadrës një emër shumë të njohur në futbollin shkodran dhe atë shqiptar, Valdano Nimanin.
Ky i fundit ka disa muaj që nuk luan për shkak të një dëmtimi të rëndë dhe për rrjedhojë u duk se hoqi dorë prej futbollit të luajtur, duke marrë kësisoj drejtimin e një ekipi moshash tek shoqata “Djelmnia Shkodrane”.
Megjithatë dëmtimi tashmë ka kaluar dhe Nimani mundet të luajë dhe kjo është arsyeja që trajneri Pepaj dëshiron ta ketë në skuadër për të përfituar nga eksperienca e madhe e tij në futbollin shqiptar.
Nga ana e tij ende nuk ka një përgjigje konkrete megjithatë në ditët e ardhshme ka mundësi që ai të kthejë një përgjigje pozitive. Ky do të ishte një lajm i mirë për Adën, e cila ndërkohë ka ofruar në skuadër edhe ish- futbollistin e Akademisë AAS Arjes Kutureli.
Trajneri Pepaj ka dorë të lirë nga presidenti Pjetri për t’u marrë me merkaton dhe pritet që në ditët në vijim, me Adën të bashkohen edhe lojtarë të tjerë cilësorë.
© shkodrasport.com