Armando Cungu ka befasuar pas ndeshjes me Flamurtarin, pas asj drame që ndodhi në “Loro Boriçi”, nga e cila doli fitimtare Vllaznia. Trajneri kuqeblu ka pohuar se është duke menduar tërheqjen, duke lënë të kuptohet se ka ndërhyrje, ose probleme në raport me drejtuesit. Sidoqoftë, asgjë nuk është zyrtare, pasi Cungu ka saktësuar se do të mendohet edhe një herë: “Vllaznia ka karakter dhe nuk dyshuam në asnjë moment te forca jonë. Ishte merita e futbollistëve të mi për këtë fitore të madhe. Mendoj se kemi bërë ndeshje shumë të mira në këtë pjesë të dytë të sezonit. Edhe kundër Partizanit luajtëm mirë dhe, me pak kujdes, mund të kishim marrë pikë. Sot, në këtë ndeshje, pata shumë emocione. Mund të them se kam përjetuar emocione, që kisha kohë që nuk i ndjeja, qysh prej kohës me Kukësin në Kupat e Europës. Hebaj, që hyri nga stolid he barazoi rezultatin? Ai premton shumë, sepse është i ri dhe i talentuar. Por, ka pasur disa dëmtime, apo shqetësime shëndetësore, që nuk e kanë lejuar të jetë në formën e tij më të mirë. Në fakt jam lodhur shumë te Vllaznia. Në fund të sezonit nuk do të jem më trajner i Vllaznisë. Madje, kam menduar që të largohem që tani, shumë shpejt. Te Vllaznia më kanë mbajtur këta djem të mrekullueshëm, që janë te kjo skuadër. Sot jam përlotur në dhomat e zhveshjes. Ndoshta nuk është mënyra më e drejtë për t’u tërhequr, por di të them se do ta mendoj mirë dhe më pas do të marr një vendim përfundimtar”.

© shkodrasport.com