Federata Shqiptare e Atletikës, 48 orë pas zhvillimit të garave të Kampionatit Individual Dimëror (në Elbasan), ka përcaktuar sot ekipet kombëtare që do të marrin pjesë në disa nga turnetë ndërkombëtare të muajve shkurt-mars 2017. Kështu, ditën e diel (12 shkurt) zhvillohet Ballkaniada për mosha në sallat e mbyllura (Stamboll, Turqi) dhe Shqipëria do të përfaqësohet vetëm me atleten e re Relaksa Dauti, e cila do të shoqërohet nga trajneri i saj Taulant Stërmasi. Më i gjerë delegacioni kuqezi që do të shkojë në Ballkaniadën e të rriturve në Beograd (Serbi), më 25 shkurt. Përveç trajnerëve Stërmasi e Vildan Tufi, do të jenë edhe atletët Luiza Gega, Izmir Smajlaj, Maria Stillo, Bajram Muça e Relaksa Dauti. Po në Beograd, më datat 3-5 mars, zhvillohet Kampionati Europian i salleve të mbyllura dhe Shqipëria do të përfaqësohet vetëm me dy atletët e saj më të mirë, Luiza Gega e Izmir Smajlaj, në kërkim të medaljeve të para sezonale. Në këtë mënyrë siç shikohet tashmë pritet të shohim se çfarë rezultatesh do të arrijnë edhe në arenën ndërkombëtare dy atletët e Vllaznisë Smajlaj e Muça të cilët në kampionatin individual të zhvilluar dy ditë më parë në Elbasan, zunë nga dy vende të para në garat respektive ku morën pjesë.

© shkodrasport.com