Nëse një sezon më parë ai ka qenë përcaktues me golat që ka shënuar por edhe lojën e zhvilluar, këtë sezon Arlind Kalaja nuk ka qenë me kaq fat. Dëmtimet e herëpashershme apo dhe ndonjë problem tjetër, kanë bërë që ai të mos jetë në formën e tij më të mirë. Prej tij natyrisht që pritet shumë dhe jo më kot, trajneri Cungu vazhdon t’i besojë vendin e titullarit në formacion. Për këtë arsye, ai është përzgjedhur sot për të dalë para gazetarëve në pragndeshjen me Flamurtarin, duke folur për të, për tifozët por edhe ndeshjen e kupës ndaj Teutës. “Nesër ndeshja me Flamurtarin është një ndeshje shumë e rëndësishme për ekipin tonë për ecurinë e skuadrës tonë.E kemi vlerësuar maksimalisht edhe kemi punuar gjatë gjithë javës që ditën e ndeshjes me dhanë rezultat sa më pozitiv dhe me dhanë maksimumin.Ne për çdo ndeshje mundohemi për të marrë maksimumin në lojë dhe rezultat dhe kështu besoj se do të ndodhë edhe këtë herë. Përballje me vlonjatët është një ndeshje shumë e rendësishme në të cilën na bën punë vetëm fitorja.Tifozat e shkodrës janë shpirti i kësaj skuadre.Jo vetëm këtë ndeshje por edhe ndeshjet e tjera ne kemi nevojë për përkrahjen e tyre,sepse ato janë forca jonë.  Normalisht ne kemi pretendimet tona edhe në Kupë dhe për këtë gjë do të bëjme më të mirën e mundshme.Besoj që me pak përkushtim ne mundemi me ecë më përpara”- ka thënë ai. Kalaja këtë sezon nuk ka qenë në formën e tij më të mirë dhe këtë e pranon edhe vetë. Po ashtu, deklaron se edhe mungesa e golit e ka shqetësuar jo pak por të gjitha këto sipas tij do të marrin zgjidhje e për këtë shton: “Po kam pas pak probleme jo pak po kam pas demtime që më kanë lënë pak prapa.Jam duke punuar fort në  stërvitje për të arritur formen time optimale për t’i shërbyer sa më mirë ekipi tim, Vllaznisë.Goli këtë kampionat vërtetë më mungon sepse për një futbollist ai shërben për ta rritur sa më shumë nga ana morale. Por besoj se shumë shpejt do ta gjej golin dhe ajo çka është e rëndësishme po ashtu, uroj që të jenë po aq përcaktues sa edhe sezonin e kaluar për ekipin tim”.

© shkodrasport.com