Ada e Velipojës do të luajë ditën e nesërme ndeshjen e rradhës me Orikun e vendit të parë. Trajneri i këtij ekipi, Arbër Shytani, në një intervistë për “Shkodra Sport” mbrëmjen e sotme, u shpreh se ndeshja ndaj Orikut do të jetë mjaft e vështirë, teksa theksoi se ekipi i tij pavarësisht se ka disa mungesa për arsye dëmtimesh dhe kartonash, shpreson në marrjen e një rezultati pozitiv, që mund të konsiderohet edhe barazimi.

“Me Orikun është një ndeshje, që padyshim që konsiderohet e vështirë, pasi do përballemi me vendin e parë në renditje, ç’ka natyrshëm duket që ekipi i Orikut është favorit, por ne do shkojmë të bëjmë detyrën tonë, duke bërë maksimumin dhe shpresojmë që të marrim rezultat pozitiv.

Pavarësisht se, ekipi ka disa mungesa për arsye dëmtimesh dhe kartonësh, mendoj se ka një gjendje të mirë, ku edhe ndërprerja e kampionatit, na ka vlejtur deri diku.

Pa i hequr meritat Orikut, që kryeson me meritë, por rezultati i fazës së parë, ku humbëm 0-3, nuk ishte llogjika e lojës. Megjithatë, e njohim deri diku Orikun dhe jemi koshient për cilësinë, që ka por edhe ne tashmë, jemi një realitet tjetër dhe mendoj se kemi kapacitet si skuadër për t’u përballur në mënyrë dinjitoze me çdo kundërshtar.

Duhet të jemi realist, një barazim me vendin e parë do na kënaqte. Nuk flitet për frikë, por Oriku meriton vlerësim për kampionatin e mirë, që ka zhvilluar deri tani dhe ne do dimë ta vlerësojmë siç duhet.

Në një ndeshje, nuk mund të hysh në fushë me idenë, për t’u ndarë barazim. Padyshim që, çdo ndeshje ka qëllim fitoren, por në qoftë se në fund të ndeshjes do shkonim drejt barazimit me Orikun, mendoj se do ishte një rezultat pozitiv për ne”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Adës së Velipojës, Arbër Shytani.
Maringlen ZHIVANI