Kastrioti do të kërkojë të thyejë tersin me Vllazninë të hënën në orën 17:45 në stadiumin “Loro Boriçi”. Krutanët janë mundur në të dyja përballjet e mëparshme me shkodranët.

Në ndeshjen e fazës së parë, zhvilluar në Shkodër më 20 nëntor, vendësit triumfuan me shifrat 3-1, ndërsa në sfidën e fazës së dytë, e luajtur në Kamzë më 30 janar, sërish Vllaznia arriti të fitonte me një penallti në minutën e 76-të, e shndërruar në gol nga Latifi.

Tashmë krutanët do të kërkojnë ta thyejnë këtë ters, ndonëse janë të vetëdijshëm që shkalla e vështirësisë është e lartë. Për këtë përballje, ai që vijon të shqetësojë është sulmuesi anësor, Bedri Greca.

Ky i fundit nuk po stërvitet me grupin, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është e gjitha në dispozicion. Edhe mbrojtësi Adolf Selmani është bashkuar me skuadrën pas ndeshjeve me Kombëtaren U-21 ndaj Çekisë dhe Anglisë.

Shkodranët luajtën dje në Kupën e Shqipërisë ndaj Partizanit dhe krutanët shpresojnë që ta gjejnë kundërshtarin të lodhur në sfidën e së hënës. Këtë sezon stadiumi i Shkodrës ka qenë fatsjellës për Kastriotin kur ka luajtur ndaj Teutës, teksa durrsakët kanë qenë pritës dhe një ndeshje ka përfunduar në barazim 1-1 dhe një tjetër 0-1 për krutanët.