Nje dite me pare futbollisti Kamelio Palushani qe u nda nga Vllaznia me jo pak keqardhje, beri disa akuza te forta ne adrese te drejtuesve te klubit dhe njekohesisht deklaroi se jashte planeve te skuadres nuk e la trajneri por te tjere pjestare te klubit. Ne lidhje me keto akuza, Suad Lici i eshte përgjigjur Kamelio Palushanit, i cilideklaroi se doli jashtë planeve të kuqebluve, pasi nuk i kapi kurrë nga fyti krerët e klubit.
Administratori i klubit shkodran për “Panorama Sport” theksoi se 20-vjeçari mbeti jashtë liste, me vendim ekskluziv të trajnerit maqedonas. Ka qenë Mirsad Jonuz ai që ka bërë përzgjedhjen e 25 futbollistëve që janë federuar. Numri një i klubit evidenton se lojtarit i është dhënë mundësia për të treguar veten më shumë se një herë, por kurrë nuk morën fryte prej tij.
“Nuk është koha që të merremi me Palushanin. Te Vllaznia ka shumë gjëra më të rëndësishme për t’u marrë. Por desha të them se Palushanin nuk e hoqën drejtuesit nga ekipi, por vetë trajneri Mirsad Jonuz. Ai e mori lojtarin dhe i dha jo një herë, por disa herë mundësinë që të tregonte veten. E ka aktivizuar në takimet miqësore dhe në fund deklaroi se nuk është për atë.
Jonuz është një tjetër trajner pas Likës e Canajt që dha një vendim të tillë. E nëse është kështu, atëherë le të më thotë ku qëndron faji i klubit?” shprehet fillimisht administratori, ndërsa kujton se edhe trajnerët e mëparshëm nuk janë bindur kurrë prej sulmuesit.
Lici paralajmëron se në Shkodër nuk do të priten më lojtarët pafundësisht. “Te Vllaznia ka ikur koha që të hahet qyl dhe të pritet pafundësisht që të bëhet një lojtar. Ka vite që Vllaznia investon për Palushanin dhe nuk ka marrë asnjë fryt prej tij. Dhe sërish ne s’e hoqëm, por ai kërkoi vetë që të largohej. Ndaj, i urojmë suksese.
Nuk mund të bëhesh futbollist përmes ‘Facebook’-ut dhe duke mos treguar në asnjë ditë profesionalizëm. Nuk ka sesi të jesh profesionist kur thua ‘u vonova në stërvitje, se më iku furgoni’. Vllaznia priste që një ditë të merrte frytet e investimit te këta lojtarë, ashtu siç ka marrë nga disa prej tyre.
Por s’mund të presë pafund dhe të mbajë në ekip lojtarë që nuk gëzojnë interesin e trajnerit. Klubi i ka dhënë letrat dhe futbollisti le të tregojë më të mirën e tij në një skuadër tjetër. Dëshirojmë që ta gjejë veten”, ka përfunduar administratori i klubit të futbollit Vllaznia sh.a.