Përmbysje “e çmendur” e Vllaznia U17 në ndeshjen e rradhës për kampionat, atë të luajtur paraditen e sotme në transfertë me Shkëndinë e Durrësit. Ndonëse kjo e fundit e nisi takimin duke shënuar dy gola, më pas kanë qenë shkodranët që kanë përmbysur gjithçka duke shënuar plot 6 gola dhe duke fituar takimin.

Vendasit e kanë nisur mjaft mirë ndeshjen duke shënuar dy golat e parë, me autor Kurtin në ’22 dhe Bocin në ’31. Një fillim që i ka gjetur ndoshta të papërgatitur futbollistët e Vllaznisë të cilët në fakt kanë reaguar menjëherë duke bërë kthesën.

Në fillim ka qenë Perloshi që ka ngushtuar shifrat në ’38 dhe tre minuta më vonë ka qenë Papaj që ka barazuar gjithçka ndërkohë që pas 60 sekondash ka ardhur edhe goli i tretë dhe ai i avantazhit, shënuar nga Mujaxhi. Pjesa e parë në këtë mënyrë është mbyllur me rezultatin 3-2 për Vllaznia U17.

Kaq ka mjaftuar që ajo në pjesën e dytë të dominonte në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarit dhe do të arrinte të shënonte edhe tre gola të tjerë, madje me të njëjtin autor, Perloshin. Ky i fundit kësisoj ka kompletuar “pokerin” e tij në këtë takim që përfundimisht u mbyll me fitoren 6-2 në favor të ekipit shkodran.

Me fitoren e sotme Vllaznia U17 është ngjitur në kuotën e 33 pikëve duke siguruar kësisoj vendin e katërt dhe daljen në fazën e play-off, ku sigurisht që do të ketë pretendime për t’i shkuar deri në fund garës.
www.shkodrasport.com