Suad Lici nuk mjaftohet me trofeun e Grupit A, por tashmë kërkon edhe titullin kampion të Kategorisë së Parë.Administratori i Vllaznisë e thotë troç se ekipi duhet që të mposhtë Bylisin për të marrë kupën e kampionatit dhe rrjedhimisht arkëtojë 30 milionë lekët që ofron FSHF-ja. Gjatë një deklarate të dhënë për mediat fill pas ndeshjes së fundit, numri një i klubit është shprehur i kënaqur me atë që djemtë kanë dhënë në këtë sezon.

“Jam i kënaqur me këtë arritje. Është mundi dhe puna e një viti të tërë. Për t’i bërë një mbyllje sa më të mirë këtij sezoni, do të kërkojmë të bëjmë maksimumin që ne të kurorëzohemi kampionë të Kategorisë së Parë”, u shpreh Lici.

ZHUNIOR
Një tjetër temë e nxehtë te Vllaznia lidhet me merkaton. Silvio Rodriges Zhunior pritet që të largohet në fund të këtij sezoni. Megjithatë, është administratori që jep shpresë për të ardhmen e brazilianit, duke nënkuptuar se hesapet nuk mund të quhen ende mbyllura.

Në Shkodër, përveç Zhuniorit dhe Eziamakës, pritej edhe një tjetër i huaj. Kuqeblutë kishin në plan që të afrohen një tjetër lojtar nga Nigeria pas merkatos së janarit, por ai nuk erdhi kurrë. Gjithsesi, halli i vetëm i klubit mbetet blindimi i shënuesit më të mirë të shkodranëve, pasi për Eziamakën nuk ka ndonjë interes për ta mbajtur.

“Projekti ynë është 3-vjeçar. Unë kam mbërritur në çastet e fundit te Vllaznia dhe kjo skuadër u ndërtua për dy javë. Ju keni qenë kritikë me sulmuesin Xhunior dhe rezultoi e kundërta. Unë kam qenë larg, pasi kam kërkuar që Vllaznia të fliste në fushë. Është e mira që mediat dhe të gjithë të përkrahin Vllazninë dhe jo të gjejnë problematika. Ne mendoj se edhe vetë i kemi pranuar kritikat, por në përgjithësi lojtarët e kanë justifikuar besimin e klubit dhe kanë dhënë më të mirën e tyre. Tani do të shohim me qetësi gjithçka dhe të vlerësojmë çdo lojtar”, u shpreh administratori.

RELACIONI
Në fund të fjalës së tij, administratori nuk ka ngurruar që të flasë edhe për të ardhmen e lojtarëve të tjerë. “Një pjesë e tyre janë faktuar nga ana e drejtorit teknik. Por, ne presim përfundimin e sezonit dhe të marrim edhe relacionin e plotë nga ana e trajnerit aktual, Agim Canaj, ish-trajnerit Hasan Lika, e po ashtu edhe prej drejtorit teknik. Me të marrë këto të dhëna, do të ulemi për të diskutuar për skuadrën. Mendoj se kemi kohën e mjaftueshme për një gjë të tillë”, përfundoi Lici./panorama-sport/