Pas një viti në “ferr”, elitës së futbollit shqiptar i kthehet një emër i madh, Vllaznia e Shkodrës. Kuqeblutë vijnë nga një periudhë tranzicioni, jo vetëm me rënien në Kategorinë e Parë, por edhe me probleme të mëdha menaxhimi, duke qenë se është ende në varësi të Bashkisë së Shkodrës.
Situata politike ka ndikuar disi në formatimin e skuadrës, por drejtuesit e klubit kanë sfiduar vështirësitë, duke nisur nga puna. Administratori Suad Lici së bashku me drejtorin sportiv Engin Firat kanë konfirmuar së pari trajnerin e ri të kuqebluve dhe më pas lojtarët që do të mbajnë veshur fanellën e Vllaznisë. Një sfidë e vërtetë për një ish-kampion në fushë, që duket se kërkon të kthejë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur të skuadrës së tij të zemrës.
“Besoj pas një viti të vështirë, edhe pse u formuam me vonesë, them që skuadra nuk është në ritmin e duhur. Shpresoj që këtë sezon Vllaznia të jetë krejt tjetër me objektiva të qarta. Shpresojmë që ajo që po ndodh në Bashkinë e Shkodrës të mos ndikojë, pasi futbolli është i tëri i shkodranëve”- thote Lici.
Detyra e parë e administratorit ka qenë konfirmimi i trajnerit të ri, duke i besuar ish- timonierit të përfaqësueses maqedonase, Mirsad Jonuz. Numri një i stolit ka patur kërkesat e veta sa i përket grupit, ndërkohë që në pak ditë qëndrimi në Shkodër ka ndier ngrohtësinë që të dhuron ky qytet.
“Mendoj që të gjithë strukturat e klubit kanë qenë të kujdesshme. Nuk kemi patur preferenca, por kemi marrë lojtarë aty ku ka nevojë trajneri dhe skuadra”- deklaron ai.
Duke qenë se ka filluar me vonesë përgatitjet, Vllaznia mund të vuajë disi gjendjen fizike në start, një problem i hasur në përgjithësi edhe te skuadrat më të mira. Megjithatë, në Shkodër janë të bindur se këtë sezon muzika do të jetë krejt ndryshe nga vitet e shkuara.
“E rëndësishme është të fillojmë javën e parë suksesshëm. Mendoj që pas javës së 3-të mund të shohim Vllazninë e vërtetë, pasi vijnë nga faza përgatitore. Do të bëjmë një kampionat të mirë, me skuadër cilësore dhe futboll që jemi mësuar ta shohim nga Vllaznia”- thotë administratori Lici.
Sa i takon objektivave të skuadrës, ai e ka të qartë atë çfarë do të kërkojë bashkë me skuadrën dhe për këtë shprehet: “Ne kemi synim të hyjmë në kupat e Europës. Me trajnerin kemi qenë të qartë. Çdo lojtar është afruar sipas dëshirave të tij për të ndërtuar një skuadër siç ai e mendon. Nëse nuk arrijmë objektivat, atëherë do të ketë masa ndaj trajnerit”.