Tek Vllaznia ka besim për një skuadër ndryshe në sezonin e ri. Një besim që vjen duke u reflektuar që nga trajneri Mirsad Jonuz. 57-vjeçari është një nga shumë personazhet që ka përshkuar rrugën nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë për të vijuar karrierën. Ende pa zbritur në fushë, Jonuz në një prononcim për “Supersport” ka treguar se ka njohuri për atë se çfarë e pret në aventurën e tij të re.

“Njerëzit dhe qyteti janë shumë miqësor. Jetoj në qendër dhe jam këtu prej vetëm 10 ditësh duke qenë se ishim me fazë përgatitore. Është një eksperiencë e re dhe shumë e mirë. Vllaznia është një skuadër e madhe që ka fituar tituj dhe ka qenë në Europë. Do të ndërtoj një skuadër të re me një sistem të ri loje. I vetmi problem është që më duhet më shumë kohë për të punuar në aspektin taktik.

Është kampionat shumë i fortë me lojtarë të mirë, shumë ekipe luajnë në kundërsulm si Laçi. Më pëlqen të luaj futboll të hapur, për të kënaqur tifozët. Luaj për të shënuar sa më shumë gola. Për këtë mënyrë loje më nevojiten këta lojtarë që do të vijnë. Besoj që në këto 3 ndeshje do të marrim pikë.

I kam ndjekur lojtarët dhe mendoj se me prurjet e reja jemi më të fortë. Presim lojtarë brazilianë si dhe një afrikan. Ramadani ka nisur të punojë me ekipin. Pas tri ndeshjeve të para do të kemi 15 ditë pushim dhe mendoj se në atë kohë do të kemi një skuadër shumë të mirë.

Normalisht që ka probleme kur vjen nga faza përgatitore, pasi lojtarët janë të ngarkuar. Nuk premtoj që do të fitoj kampionatin apo do të shkoj në Europë, por do të punojmë që të luajmë sa më mirë në ndeshjen e parë dhe të marrim pikë. Ne po punojmë që të ndërtojmë një skuadër për të gjithë sezonin dhe vetëm në fund do të shohim se çfarë ekipi kemi. Për mua e rëndësishme është që të kemi mbështetjen e tifozëve. Pas 6 muajve mund të flasim për punën time, tani po punojmë për të bërë një nisje të mirë dhe të ndërtojmë një skuadër të mirë.

Do të luajmë ndeshje pas ndeshjeje dhe të shohim pasi kampionati është interesant me skuadra të forta. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një, pasi gjithçka ka ndryshuar te Vllaznia. Vjet ishin në Kategorinë e Parë, ndërkohë që në Superiore është krejt ndryshe. Jam i kënaqur që nuk kemi patur dëmtime.

Më pëlqejnë shumë tifozët e Vllaznisë dhe shpresoj të mbështesin jo trajnerin, por ekipin. Punojmë së bashku, marrim fitoret së bashku ashtu si dhe humbjet së bashku”.