Për vitin 2012 ka qenë një nga tre trajnerët më të mirë të zgjedhur nga anketa e organizuar nga klubi shumësportësh Vllaznia në bashkëpunim me atë të futbollit. Bëhet fjalë për trajnerin e atletikës Albert Marashi. Ai edhe në garat e fundit të zhvilluara në Tiranë, ka bërë një paraqitje të mirë bashkë me sportistët që ai stërvit por edhe të tjerët e ekipit të Vllaznisë. Duke folur në lidhje me këto gara, trajneri Marashi është shprehur kështu për gazetën online www.shkodrasport.com: “Paraqitja e bërë në Kampionatin Individual Dimëror nga atletët e Vllaznisë ka qenë mjaft e mirë, çka premton për aktivitetet e ardhshme. Në këtë kampionat patëm rezultate shumë të mira duke filluar me garën e 60 metrave me pengesa ku atleti Bajram Muça zuri vendin e parë dhe arriti një rezultat shumë të mirë. Po ashtu paraqitje të mirë sportistët tanë bënë edhe në garën e 60 metrave dhe pikërisht Ardit Rrashi, Bajram Muça, Erdis Çaku, Artenis Ibrahimi. Në 400 metra Elvedin Meti zuri vendin e parë dhe arriti një rezultat shumë të mirë por edhe atleti tjetër Lulëzim Çengeli që zuri vendin e dytë. Figurë të mirë bënë sportistët tanë edhe në garën e kërcimeve teksa Izmir Smajlaj u paraqit mirë në kërcim së gjati ndërsa Durjan Idrizaj zuri vend të parë në trehapësh”. Pikërisht nga këto rezultate, janë përcaktuar edhe anëtarët e ekipit kombëtar që do përfaqësojnë vendin tonë në Kampionatin Ballkanik pas disa ditësh. Nga Vllaznia janë përzgjedhur dy sportistë, pikërisht Muça e Meti, atletë këto që stërviten nga trajneri i tyre Albert Marashi. Ky i fundit duke folur në lidhje me këtë gjë, ka thënë: “Dy prej sportistëve tanë, pikërisht Bajram Muça dhe Elvedin Meti janë përzgjedhur nga Federata për të qenë pjesë e ekipit kombëtar që do marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të Sallave të Mbyllura që do të zhvillohet në Turqi. Fakti që nga pesë sportistët pjesmarrës, dy janë të klubit Vllaznia, tregon më së miri për vlerat që zënë atletët shkodranë edhe në ekipin kombëtar”. Viti 2013 sapo ka filluar dhe përpara do jenë shumë gara të tjera. I pyetur në lidhje me objektivat e atletëve të Vllaznisë, njëri prej trajnerëve të këtij ekipi Albert Marashi do të thoshte: “Ne shpresojmë për rezultate të mira në të gjitha garat e këtij viti. Stërvitja që po zhvillojmë premton shumë. Objektivi madje është edhe thyerja e ndonjë rekordi të moshave ose të rinjve, por pse jo edhe të ndonjë rekordi për të rritur sepse mundësitë janë dhe punën për këto objektiva e kemi përqendruar”.
Gjergj KOLA

Trajneri Albert Marashi ne ceremonine e nderimit te trajnereve me te mire te  vitit 2012 bashke me ish-shefin e klubit Vllaznia Gezim Mema