Ish-futbollisiti i disa ekipeve në vendin tonë dhe aktualisht trajner tek akademia Shpresa, por edhe pjesë e kombëtares së minifutbollit, Admir Mehja ka komentuar rezultatet e fundit të kuqebluve.

Ai thekson se skuadra nuk po shprehet në asnjë moment dhe as me trajnerin e ri. Ku gjithashtu nuk bie dakord me deklaratën e Sedloskit pad ndeshjes së humbur në shifrat 0-4 kundër Egnatias.

Mehja tha: “Na shokoi realisht ndeshja e fundit e Vllaznisë kundër Egnatias. Jo vetëm rezultati që flet vetë, por edhe loja që zhvilloi skuadra la shumë për të dëshiruar. Në asnjë moment skuadra nuk tregoi asgjë nga cilësitë që ne mendojmë se i ka. Po ashtu duket se ajo fitore me trajnerin Sedloski kundër Erzenit ishte një rastësi.

Besoj se trajneri nuk duhet të përdorë justifikime se nuk e njeh kampionatin apo skuadrën. Jemi në profesionizëm dhe besoj se atij i janë paraqitur kushtet se ku ndodhet skuadra dhe objektivat para se të firmoste. Po ashtu deklarata e tij pas ndeshjes që thotë se nuk doja që ekipi të shpërbëhej.

Nuk i shkojnë deklarata të tilla një trajneri që drejton Vllazninë dhe ku skuadra ka pretendime madhore. Skuadra duhet të gjejë reagimin në këto momente dhe të japë atë gazin e fundit. Sezoni është në rrezik, por ende jo i dështuar.

Ka shpresa që në fund të mbyllet pozitivisht dhe fitimi i kupës patjetër do ishte sukses. Besoj se që nga ndeshja e kësaj fundjave kundër Kastriotit në kampionat duhet filluar kthesa. Kjo për të bërë edhe përgatitjet para gjysmëfinales së kthimit kundër Egnatias”.
Endri ÇINARI