Gjashtë vite më parë, Vllaznia e volejbollit të meshkujve arriti të fitojë të parin titull kampion kombëtar në historinë e volejbollit të SK Vllaznia. Ky sukses i arritur me fitimin e të parit dhe të vetmit titull kampion për kuqeblutë në historinë e volejbollit shkodran padyshim që ngjall nostalgji për protagonistët e asaj periudhe dhe jo vetëm.

Gledis Lloshi, njëri ndër volejbollistët më kryesorë të Vllaznisë së asaj periudhe, e kujton atë vit si një sezon sportiv shumë të suksesshëm për skuadrën kuqeblu, e shoqëruar me një tifozëri shumë entuziaste që e mbështeti skuadrën në të gjitha ndeshjet, si në Shkodër ashtu edhe jashtë saj.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Lloshi u shpreh se titulli para gjashtë vitesh do të mbetet kujtimi më i bukur i karrierës së tij sportive, ndërsa theksoi faktin se ka shumë nostalgji për atë vit, pasi ende edhe sot pas gjashtë vitesh “ngushëllohet” me kujtimet e atij sezoni. Më poshtë, keni mundësi të lexoni intervistën e tij dhënë për gazetën tonë gazetarit Maringlen Zhivani.

-Gledis, gjashtë vite më parë Vllaznia e volejbollit të meshkujve shpallej kampione e Shqipërisë, besoj nostalgji dhe mjaft kujtime për ju apo jo?

Po, është e vërtetë. Viti më i bukur i karrierës time sportive ka qenë viti që u shpallëm kampion me Vllazninë. Normalisht që, e kujtoj me shumë nostalgji, sepse ka gjashtë vite që po bëjmë sport, duke u ngushëlluar me kujtime që nga ajo ditë. Unë mbaj mend dhe kujtoj çdo detaj të atij viti. Ishte një ëndërr e realizuar me sukses. Emocione të jashtëzakonshme që patëm fatin ta prekim me dorë ëndrrën e madhe për të shkruar historinë që aq shumë breza e kanë kërkuar dhe nuk e kanë arritur.

-Megjithatë, çfarë ka ndodhur që në sezonet e fundit Vllaznia në volejboll për meshkuj nuk po arrin të sjellë qoftë edhe një trofe në Shkodër?

Fatkeqësisht, këto vitet e fundit nuk po vjen asnjë trofe tek Vllaznia. Gjithashtu, po ndiqet një mënyrë largimi volejbollistësh për arsye të ndryshme. Unë besoj se ndikojnë edhe ndryshimet në drejtimin e ekipit, nga zhvendosja e Sport Klub në Shoqata. Nuk është bërë asnjë tentativë për t’i mbajtur volejbollistët shkodranë në Shkodër, qoftë edhe në rastin tim. Ekipi ka nevojë për të rikthyer volejbollistët shkodranë. Të paktën, disa nga ato që dhanë kontributin e tyre për të dalë kampion para gjashtë vitesh.

-Cila ka qenë e veçanta e atij viti që u shpallët kampionë?

Ai vit nën drejtimin e profesor Mark Krroqit solli risi për ekipin. Ai solli demokraci në ekip. Profesor Marku ka qenë shumë bashkëpunues edhe me pjesën e volejbollistëve të rritur me eksperiencë. Ai kishte objektiva të qartë për stërvitjen, për ndeshjen, për mënyrën e lojës në bazë të kundërshtarit. Kështu që, rrjedhimisht morëm benefitet e punës të gjithë bashkë.

-Gledis, në karrierën tuaj sportive si volejbollist keni provuar shumë emocione, por besoj ky është trofeu më i veçantë, sepse është trofeu i parë i Vllaznisë në vite apo jo?

Po, është e vërtetë që kam provuar shumë emocione, sepse kam pasur fatin të fitoj kampionatin edhe me ekipin e Erzenit. Gjithashtu, të marr pjesë edhe në Champions League, por kur bëhet fjalë për trofeun me Vllazninë kujtoj që na ka rrahur zemra fort. Ishte e admirueshme për të luajtur me pallatin e sportit “Qazim Dervishi” plot e përplot. Normalisht që, është trofeu më i veçantë, sepse na u dha mundësia të lëmë një shenjë në qytetin tone, gjë që do të kujtohet prej brezave me rradhë.

-E fundit për ta mbyllur Gledis, tashmë si e shikoni të ardhmen e sportit të volejbollit në Shkodër?

Kjo është pyetje që ha debat. Nuk jam aspak optimist për të ardhmen e volejbollit në Shkodër, sepse nuk shoh që është në rrugën e duhur në asnjë nga hallkat e funksionimit. Do kisha pasur shumë dëshirë sikur dikush ta ndihmojë ekipin për ta rikthyer në nivelin që meriton për me qenë. Poashtu, do doja edhe rikthimin e gjithë volejbollistëve shkodranë për të kontribuar për Vllazninë.
Maringlen ZHIVANI