Humbja e Vllaznisë dhe forma e dobët e shkodranëve patjetër ka bërë që të gjithë në Shkodër të kthejnë vëmendjen nga skuadra. Përjashtim nuk bën as themeluesi i futbollit të femrave në vendin tonë, Ferdinand Jaku. Presidenti i Juban Danjas thekson se lojtarët duhet të tregojnë më shumë nga grinta dhe karakteri i tyre dhe ta kenë të qartë se çfarë po përfaqësojnë.

Jaku tha: “Patjetër që të gjithëve iu “dhemb” kjo situatë ku është Vllaznia, sidomos ne që jemi afër sportit. Por edhe tifozit më të thjeshtë në Shkodër.

Që skuadra është në një moment të vështirë kjo shihet qartë. Por duhet të ketë mbështetjen në këto momente, për të arritur të paktën objektivin minimal. Pjesëmarrja në kupat e Europës është domosdoshmëri për klubet shqiptare.

Ne e dimë sa e vështirë është të mbijetosh në futbollin tonë në qoftë se nuk merr kualifikimet në kupat europiane. Ekipi duhet të gjejë reagimin që nga kjo javë kundër Kastriotit. Pavarësisht se tashmë në kampionat nuk ka në dorë fatet e saj dhe kupa mund të jetë “shpëtimi” i këtij edicioni.

Një këshillë ? Futbollistët të luajnë më me shpirt dhe grintë sepse shoh që mungon. Ata duhet të dinë çfarë përfaqësojnë dhe duhet të jenë krenarë për këtë pjesë. Në këto finale të kampionatit ata duhet të japin gjithçka nga vetja e tyre sepse janë pjesë e skuadrës më të vjetër dhe më me traditë në futbollin tonë”.
Endri ÇINARI