Dueli më delikat i javës së fundit të Kategorisë Superiore është padyshim ai mes Partizanit dhe Kamzës në kryeqytet, një sfidë e cila parashikohet të jetë shumë e tensionuar për shkak të objektivave që ndjekin të dy skuadrat.

Fatkeqësisht, historia ka treguar se në ndeshje të tilla, FSHF nuk ngurron të caktojë një gjyqtar që të pilotojë ndeshjen sipas interesave të caktuara të drejtuesve të saj.

Vitin e kaluar, “kamikazi” i zgjedhur për të vendosur ndeshjen më të rëndësishme të sezonit ishte Enea Jorgji, ai që në teori është arbitri më i mirë ndërkombëtar që kemi, por që vendosi luftën për titullin kampion në duelin Kukësi-Skënderbeu.

Jorgji i kishte idetë e qarta që Kukësi do të shpallej kampion dhe me një nga gjykimet më të njëanshme që kishte parë futbolli shqiptar në vitet e fundit, i dorëzoi kësaj skuadre titullin në duelin direkt.

Sipas informacioneve të siguruar nga “Vip Sport”, elbasanasi është përsëri emri i caktuar nga FSHF për të marrë drejtimin e ndeshjes mes Partizanit dhe Kamzës.

Ky nuk është një sinjal i mirë për mbarëvajtjen e këtij takimi, duke pasur parasysh se të dy palët janë të ndërgjegjshme se mund të kenë një gjyqtar të komanduar me qëllimin për të qenë “kamikaz” dhe se Jorgji fatkeqësisht e ka treguar që mund të bëhet lehtësisht i tillë.