Skuadra e Skënderbeut do të luajë nesër kundër Vllaznisë, në ndeshjen e fundit të kampionatit, ku do të festojë dhe titullin kampion të sezonit 2017-2018.

Zëdhënësi për shtyp i Skënderbeut, Enea Zhidro, në një prononcim të dhënë për RTSH ka zbuluar detaje të festës së nesërme.

Zhidro ka thënë se të gjithë tifozët do të jenë veshur me bluza të personalizuara, ndërsa do të ketë dhe 5 mijë flamuj.

“Ky ishte një nga sezonet më të suksesshme të Skënderbeut. Ne jemi në finalen e Kupës dhe shpallemi kampion për herë të tetë.

Titulli bëhet më i bukur duke marrë parasysh vendimet e ardhura së fundmi. Klubi, stafi dhe lojtarët e kanë përballur në mënyrë dinjitoze presionin, ndërsa tashmë festojnë titullin për herë të tetë.

Fillimisht u nxorrën në shitje bluzat “Champions”, të cilat mund të konfirmoj se deri në këtë moment së bashku me biletat janë shitur gati 2500.

Pritet që stadiumi të jetë me kapacitet maksimal. Gjithashtu do të jetë një koreografi me 5000 flamurë që tifozët do i marrin në hyrjen e stadiumit për t’i valvitur.

Në fund ka vend edhe për një spektakël me fishekzjarre dhe flakadan, në momentin kur ekipi do të ngrejë trofeun”, ka përfunduar Zhidro./newsport/