Sulmuesi më i mirë i kampionatit shqiptar, shkodrani Sindrit Guri, tashmë e ka bërë zgjedhjen e tij për vazhdimin e karrierës.

Ka firmosur në Belgjikë me Ostende dhe vetë ai duket i kënaqur.

Por në fakt, ish- futbollisti i Vllaznisë Çlirim Basha që punon me një studio të mirënjohur menaxhimi në Gjermani, bën të ditur se për këtë lojtar kanë qenë të interesuar edhe tre klube të njohura gjermane.

Ja çfarë thotë Basha në lidhje me këtë çështje: “Bashkë me një menaxher shumë të njohur në Gjermani, ua kemi propozuar Gurin disa ekipeve gjermane dhe duhet thënë se ata kanë shfaqur menjëherë interes për të.

Madje, kanë qenë të gatshëm për të qenë pasditen e së shtunës në tribunën e stadiumit “Loro Boriçi” në ndeshjen Vllaznia- Kukësi.

Por, sulmuesi i shpejtoi gjërat dhe firmosi në Belgjikë me Ostende. Nuk mund të them nëse ka vepruar mirë apo keq.

Di të them se kanë qenë tre ekipe gjermane të interesuara për këtë futbollist dhe drejtues të tre klubeve do të ishin në Shkodër për ta ndjekur tre ditë më parë.

Bëhet fjalë për ekipet e Frankfurtit, Shtutgartit dhe Hamburgut. Por Guri duket se është bindur edhe nga oferta e pabesueshme financiare që i ofroi klubi belg dhe firmosi me ta.

Unë kam folur me lojtarin dhe ai duket i kënaqur me zgjedhjen e bërë. Normal tashmë ka një moshë pjekurie, ka shkuar në një kampionat jo dhe aq shumë të fortë ku mund të shkëlqejë dhe përpos kësaj, e përsëris, do ketë një kontratë marramendëse”.
© shkodrasport.com