Pasditen e nesërme në orën 17.00 Vllaznia do të zbresë në stadiumin e qytetit të Korçës.

Mbase për të luajtur ndeshjen e fundit në Superligë por mund të ndodhë edhe ndryshe nëse gjërat shkojnë sipas parashikimeve.

Ajo që duket e sigurtë është se ekipi shkodran do të hyjë në fushë me një objektiv të qartë: marrjen e fitores.

Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë por kuqeblutë do të mundohen të përfitojnë nga festa e korçarëve.

Trajneri Kraja ndonëse ka disa probleme mungesash, sërish do të mundohet të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm.

Duket se nuk ak shumë dilema për 11-shen anti- Skënderbe. Në portë do të jetë Sherri ndërsa në mbrojtje do të jetë katërshja që luajti edhe ndaj Kukësit.

Pra, me Gocajn në të djathtë, Malotën e Berishën në qendër dhe Pjeshkën në të majtë.

Dilema e vetme është ajo e mesfushës. Krymi e Vucaj duken të sigurtë ndërsa nuk është e qartë se kush do të qëndrojë pushim në mes katërshes së përbërë nga Lika, Çinari, Kalaja dhe Ribaj.

Në sulm ndërkohë do jetë Sukaj dhe me këtë formacion, Vllaznia do të kërkojë fitoren, natyrisht duke pritur që të njëjtën gjë të bëjë edhe Partizani ndaj Kamzës.
© shkodrasport.com