Vllaznia e hapi sezonin e ri futbollistik me ndeshjen e raundit të dytë të Conference League kundër Univ.Craiova. Debutimi i kuqebluve këtë sezon ishte me një rezultat 1-1 në “Loro Boriçi” kundër rumunëve. Shifra që mund të cilësohen të pranueshme dhe që lënë çdo gjë të hapur për në ndeshjen e kthimit të enjten tjetër në transfertë.
E po ashtu për herë të parë kishte disa futbollistë që luanin me Vllazninë në një ndeshje zyrtare. Kështu, Lorik Boshnjaku ishte më i miri i takimit për kuqeblutë. Mesfushori i afruar në merkato nga ekipi i Prishtinës, i mahniti të gjithë në stadium. Me një pafundësi topash të rikuperuar, duele fizike apo edhe pasime preçize. Në ndeshjen e parë tregoi ekperiencë dhe shumë futboll.
Nuk mund të thuhet e njëjta gjë me plot gojën për Marko Juriç. Mbrojtësi e nisi mirë takimin, me disa ndërhyrje plot personalitet ndaj kundërshtarëve. Por humb pikë në rastin e shkaktimit të penalltisë. Moment ku 27-vjeçari mund të bënte diçka më mirë në mbulimin e sulmuesit të Craiovas. Megjithatë gjatë ndeshjes e merr sërish veten, duke mos gabuar thuajse asgjë.
Për Herald Markun dhe Kainen, të ardhur në merkato nuk mund të cilësohet hera parë që luajnë me shkodranët. Por edhe për ta ishte si një “debutim” për së dyti. Dhe si mëngjërashi ashtu edhe sulmuesi brazilian treguan se janë në harmoni totale me skuadrën. E një debutim për tu mbajtur mend edhe nga Alivoda, ku në ato pak minuta që pati, 19-vjeçari tregoi se është një lojtar i së ardhmes.
Tashmë kurioziteti është për të parë edhe Kristijan Vulajn në fushën e lojës. Ku futbollisti nga Tuzi nuk arriti të bënte debutimin me Vllazninë në një ndeshje zyrtare. Deri më tani duket se goditjet në merkato të drejtuesve shkodranë kanë qenë të sakta dhe se afrimet e reja po funksionojnë siç duhet me grupin e “vjetër”.
Endri ÇINARI