Ky është një emocion shumë i veçantë për mua në këto momente. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe sepse më janë besuar fatet e Vllaznisë në këto momente. Por vendosa ta pranoj detyrën e trajnerit të kësaj skuadre sepse besova tek projekti që kanë drejtuesit e klubit dhe ato të Bashkisë. Duke pasë një grup njerëzish të tillë pranë, kam marrë këtë vendim shumë të rëndësishëm për jetën time. Të dyja por më së shumti, e pranova ngaqë jam shkodran dhe gjithë shkodranët janë borxhlinj për qytetin e tyre pavarësisht se ku ndodhen. Si pjesë e sportit, jam borxhli për futbollin dhe Vllazninë. Unë jam i ndërgjegjshëm se skuadra ka probleme të mëdha në këto momente por në karrierën time kam kaluar situata shumë të vështira prandaj dhe jam i mësuar me to. Një situatë e tillë është edhe kjo tani tek Vllaznia dhe prandaj mora përsipër një gjë të tillë. Por nëse unë e mora këtë përgjegjësi, këtë përgjegjësi shpreso j të marrin edhe futbollistët.

Kam marrë një vendim shumë të vështirë. Një vendim që ndoshta shumë trajnerë nuk do ta merrni në këtë moment të vështirë të skuadrës. Po ashtu, kam lënë familjen time në Skoci për të ardhur e punuar në Shkodër. Kjo nuk është pak sepse familja më ka dhënë gjithmonë energji por unë shpresoj se tek Vllaznia të gjejë energji të reja, me njerëz të rinj dhe të gjithë sëbashku do bëjmë më të mirën. Nuk kam dëshirë të bëj plane afatgjata. Kam dëshirë që t’i marr ditët një e nga një.