Ndeshja mes Bylisit dhe Tiranës e vlefshme për fazë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë shkaktoi polemika të shumta. Bardheblutë u mposhtën me rezultatin 2-1, teksa në pjesën e dytë u shturën totalisht, duke bërë që epërsia e pjesës së parë të përmbysej.

Në lidhje me këtë takim ka folur edhe trajneri i njohur, Agim Canaj, i cili në një prononcim për emisionin “Pressing” në ABC News, veç të tjerash, deklaroi se mënyra e lojës së Tiranës në fragmentin e dytë të ndeshjes ishte tepër e shëmtuar.

“Tiranën e duam të gjithë, është një nga skuadrat që e udhëheq kampionatin me meritë. Është shumë e rëndësishme në një ndeshje Kupe, kur arrin rezultat në pjesën e parë dhe shpërfytyrohesh në pjesën e dytë.

U bë me dashje që Tirana nuk ka interes për Kupën apo çfarë? Nuk mund të aludojmë që Tirana e shiti ndeshjen. Kemi toleruar vetë kur kemi luajtur, por sot u bë në një mënyrë shumë të shëmtuar.

Në ecurinë e mirë dhe pastërtinë e këtij klubi, kjo e bën pak pis. Mënyra se si u zhvillua ndeshja, nuk ishte aspak profesionale“, u shpreh Canaj.