Telenovela Hysaj-Napoli vazhdon. Mbrojtësit i skadon kontrata verën e ardhshme dhe ende nuk ka vendosur nëse do të qëndrojë te Napoli, apo do të largohet diku tjetër. Mario Xhufredi, agjenti i tij vazhdon të tregojë pasiguri rreth të ardhmes së mbrojtësit. Prej kohësh ai lëshon deklarata që ndeshen me njëra-tjetrën.

Fillimisht ai tha se klubi dëshiron të rinovojë me Hysajn dhe Gatuzo e do në skuadër shkodranin. Tashmë siç shprehet ai, e ardhmja e Hysajt është në dorë të Napolit.

Në një intervistë për mediet italiane ai tregon se rinovimi i mbrojtësit me të kaltërit varet nga vullneti i Napolit për të përfshirë Hysajn në projektin teknik të së ardhmes.

“Zhvillimet do të shkojnë më tej. Duhet të kuptojmë aspektin teknik dhe garancinë që lojtari do të ketë. Kontrata është pranë skadencës dhe duhet të kuptojmë dëshirën që Napoli ka për të investuar te Hysaj. Gjithçka varet nga Napoli, sesa dëshirë kanë ata për ta përfshirë Hysajn në projektin teknik”, u shpreh agjenti. /vipsport/