Në Angli, skandalet duken të përditshme dhe Premier Liga po merr gjithmonë e më shumë njolla të zeza. Kësaj radhe, është portieri polak, Lukas Fabianski në qendër të vëmendjes.

Në vitin 2015, Fabianski ishte numri një i skuadrës së Suonsit, e cila tashmë militon në “Championship”. Pikërisht në atë vit, agjenti i portierit ka mashtruar klubin uellsian, duke falsifikuar një e-mail.

Agjenti i Fabianksit ka komunikuar me klubin e Suonsit duke u maskuar si drejtori sportiv i Bajer Leverkuzenit, që disa ditë para këtij skandali, kishte thënë publikisht se po kërkon portierë në merkato për të zëvendësuar Bernd Lenon.

Fabianksi i kishte kërkuar një rritje rroge Suonsit (nga 35 mijë në 50 mijë paundë në javë), por klubi nuk ia plotësoi kërkesën. Por pas frikës se mund ta humbasin numrin 1 të tyre nga “interesimi” i Leverkuzenit, ia rinovuan kontratën me rrogën që Fabianski kërkonte.

Përveç portierit polak që fitoi shifra shumë më të mëdha se ato që mendohej në fillim, edhe agjenti i tij është pasuruar. Sipas “DailyMail”, kanë qenë plot 2.2 milionë paundë shifra e përfituar nga agjenti i lojtarit në këto 3 vite. Tashmë, Fabianksi luan me skuadrën e Uest Hamit në Premier Ligë./vipsport/