Sylvinho është zyrtarizuar si trajneri më i ri i Shqipërisë. Braziliani do të ketë fatet e kuqezinjëve në duar, teksa objektivi kryesor mbetet kualifikimi në Europian. Ardhja e tij në krye të pankinës ka ngjallur jo pak diskutime.

Disa vendosin në dyshim Sylvinhon për shkakun e eksperiencës së pakët që ka si trajner. Megjithatë, Agustin Kola është shprehur për “Sport Ekspres” se vazhdimi me të huajt në krye të Kombëtares është zgjedhja më e mirë.

“E kanë pasur këta trajnerët tanë Kombëtaren dhe ku e kanë dërguar? Deri në Ndroq e çuan. Sido që të jetë Sylvinho dhe çfarëdo që të thonë, një gjë e dimë me siguri, Sylvinho është më i mirë se trajneri më i mirë shqiptar. Ndryshimi dallohet qartë që në formën e komunikimit, është komplet tjetër gjë në krahasim me trajnerët shqiptarë.

Më pëlqen sepse kanë profesionalizmin e duhur dhe nuk të fusin në fushë sepse ti je çuni i dikujt. Ishte De Biazi që na dërgoi në Francë dhe kjo do të thotë diçka”, tha Kola.

Sylvinho i përveshi menjëherë mëngët dhe kërkoi një mbledhje me të gjithë trajnerët e moshave te Shqipëria. Mes tyre ishte edhe Agustini që dëgjoi nga afër këshillat e brazilianit. Por cila ishte përshtypja e parë e dhënë?

“Më habitën, jo vetëm që i dinë të gjithë lojtarët e Shqipërisë A, por njihnin edhe futbollistët e Shqipërisë U-21. I dinin se ku luanin futbollistët, se në çfarë kampionatesh janë pjesë”, u shpreh Kola. /Sport Ekspres/