Ahmataj ishte trajneri që arriti të shpëtonte Kamzën nga rrëzimi në Kategorinë e Parë, në një kohë të vështirë për këtë klub, që shihej më favoriti për të dalë nga elita e futbollit shqiptar.

Megjithatë ky sukses nuk ka mjaftuar që drejtuesit e klubit të mbanin trajnerin e tyre edhe për sezonin e ardhshëm, duke e shkarkuar me mbylljen e sezonit.

Në një intervistë për “Supersport”,  Ahmataj ka zbuluar punën më të madhe të bërë në sezonin e shkuar, duke theksuar faktin se ishte e vështirë të ndryshoje mënyrën e të menduarit te klubi, pasi i ishte fiksuar ideja se “dikush” po bënte me hile për të kërkuar rrëzimin e tyre.

“Gjithmonë ka njerëz më valixhe në dorë. Mua më ndodhi menjëherë me mbarimin e kampionatit. Vetë e mendoja shumë mirë një largim, pasi e gjeta skuadrën në një moment të vështirë.

E gjeta skuadrën në moment të keq psikologjik dhe i thashë lojtarëve që t’ia lëmë fushës rezultatin. Mendonim të bënim disa pushime dhe që të diskutonim më vonë kontratën me klubin e Kamzës, por më mirë që ndodhi kështu.

Bëhem pishman për grupin e lojtarëve që kishim, pasi kisha futbollistë të nivelit të lartë dhe ia dolëm falë tyre. Problemi parë që hasa me afrimin te Kamza, ishte ana psikologjike.

Klubit i ishte ngulitur në kokë ideja se kësaj skuadre po ia bënin me hile dhe e kanë piketuar për të nxjerrë nga Superiorja. Gjithashtu jam munduar të ndryshojë mënyrën e lojës, duke kërkuar sulmin gradual, me pasime të shkurtra.

Jam në një dilemë për të ardhmen, por ofertat nuk i kam në numër të lartë. Ekipet i kanë trajnerët dhe nuk mund të zë vendin e tyre.

Kam pasur kërkesa edhe nga disa klube nga Kategoria e Parë, por për ne trajnerët është më e thjeshtë Superiorja”, ka thënë Ahmataj./vipsport/