Akademia e Vllaznisë, me dy grupmoshat e saj U-17 dhe U-19, do të kërkojë vetëm fitoren në javën e pestë të kampionatit. Dy ekipet kuqeblu do të luajnë ditën e sotme ndaj Akademisë së Futbollit ndeshjet e rradhës për kampionat.

Fillimisht, i pari që do të zbresë në fushën e lojës, do të jetë ekipi i U-17, i drejtuar nga trajneri Gilman Lika, që kërkon të rikthehet tek fitorja dhe ndeshja e tyre pritet me shumë interes.

Në fakt, trajneri Lika beson tek futbollistët e tij se do të marrin një fitore, pas barazimit javën e kaluar me Skënderbeun në Korçë 2-2. Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë ditën e sotme në fushën e “Reshit Rusi”, duke nisur nga ora 11:00.

Menjëherë, pas 17-vjeçarëve, në fushë do të jetë edhe Vllaznia U-19. Kështu, sa i takon ekipit U-19, skuadra e drejtuar nga trajneri Edmond Doçi, edhe pse do të jetë me ndonjë mungesë për shkak kartonësh apo dëmtimi, kërkon fitoren e rradhës në kampionat.

Edhe 19-vjeçarët do të ndeshen po me Akademinë e Futbollit, teksa ata janë të bindur se në fund të ndeshjes do të festojnë vetëm për trepikëshin. Kjo ndeshje do të luhet po në fushën “Reshit Rusi” dhe do të startojë në orën 13:00.

Realisht, pritet me interes ecuria e këtyre dy ekipeve të Akademisë Vllaznia, ku dihet që edhe në këtë sezon do të synohet fitimi i të gjitha kupave, por nga ana tjetër primare për drejtuesit e kësaj akademie, është nxjerrja e elementit cilësor, që më pas të kalojë tek ekipi i parë shkodran.
Maringlen ZHIVANI