Laçi në futboll për femra ka luajtur ditën e sotme ndeshjen e rradhës, të vlefshme për javën e katërt të kampionatit ndaj Kinostudios. Kjo sfidë, e cila u luajt në transfertën e Kamzës, prodhoi jo pak, por tetë gola nga të dy ekipet.

Kështu, Laçi, pavarësisht përpjekjeve dhe mbajtjes së topit në disa momente të lojës, u mund me rezultatin e thellë 6-2. Në sfidën e luajtur në Qendrën Kombëtare Sportive në Kamëz, futbollistet shkodrane e panë veten shpejt në avantazh, kur ato kaluan fillimisht në epërsi me Armokun në minutën e 11-të.

Megjithatë, Kinostudio realizoi shpejt golin e barazimit në të 26-tën, ndërsa 10-minuta më vonë ato shënuan edhe golin e dytë, atë të avantazhit.

Pjesa e parë mbyllet nën avantazhin e vendaseve, teksa dy golat e pësuar në 45-minutëshin e parë, goditën psikologjikisht skuadrën e Laçit, që nuk reagoi siç duhet edhe në pjesën e dytë, duke pësuar jo pak, por edhe katër gola të tjerë. Ndërkohë, në minutat e fundit të ndeshjes, Fabiola Caka realizoi nga penalltia golin e dytë për Laçin.

Me rezultatin 6-2 në favor të Kinostudios do të mbyllej krejt ndeshja. Pas kësaj humbjeje, Laçi mbetet në vendin e fundit në tabelën e renditjes me zero pikë. /Maringlen ZHIVANI/

Kinostudio-Laçi femra 6-2

Golat për Laçin: Armoku 11’, Caka (pen) 90’

Formacioni i Laçit: Synaj, Stallaj, Markaj, Caka, Kurbasha, Armoku, Krasniqi, Ndoci, Shpella, Kurtaj, Reshiti (u aktivizuan: Sufaj, Gërbeti, Shtjefni) Tr: Elis Legata