Akademia e Vllaznisë, me grupmoshat e saj, do të kërkojë të nisë sezonin e ri me fitore. Ekipet kuqeblu, duke nisur nga U-13, U-14, U-15, U-17 dhe U-19, do të luajnë ditën e sotme dhe ditën e nesërme.

Më konkretisht, ekipi i U-14, U-15 dhe U-17 do të luajnë sot përkatësisht ndaj Sh.F Pepa, Laçit dhe Partizanit. Ekipi i U-17, i drejtuar nga Gilman Lika, kërkon ta nisë kampionatin me fitore dhe ndeshja e tyre pritet me shumë interes. Lika beson tek futbollistët e tij se do ta nisin me një fitore, teksa gjithçka mbetet për t’u parë sot në fushën e “Reshit Rusit”.

Poashtu, ditën e sotme fitore do të kërkojnë edhe ekipi i U-14 dhe i U-15 në ndeshjet ndaj Sh.F Pepa dhe Laçit. Të njëjtën gjë pritet të kërkojnë ditën e nesërme edhe ekipi i U-13 dhe i U-19 ndaj ekipeve të Akademisë së Partizanit.

Sa i takon ekipit U-19, skuadra e drejtuar nga Edmond Doçi, edhe pse do të jetë me ndonjë mungesë për shkak se ndonjë futbollist ka kaluar tek ekipi i parë, kërkon fitoren e parë për sezonin e ri. Me interes pritet ecuria e ekipeve të Akademisë së Vllaznisë, ku dihet që edhe në këtë sezon do të synohet fitimi i të gjitha kupave, por nga ana tjetër edhe nxjerrja e elementit cilësor.
Maringlen ZHIVANI