Silvan Çokaj është një prej atyre trajnerëve shkodranë që ka vendosur që karrierën e tij ta vazhdojë jashtë vendit. Së fundmi, ai ka drejtuar moshat U-16 të IR Reykjavik në Islandë.

Megjithatë, tashmë Çokaj ka marrë drejtimin e një ekipi të ri. Pas aventurës për disa sezone me Reykjavik U-16 në vendin ishullor, në sezonin e ri, ai do të drejtojë ekipin e Haukar në Islandë.

Lajmi është zyrtarizuar nga vetë trajneri shkodran. Në këtë mënyrë, Çokajt i del për detyrë ta drejtojë ashtu siç duhet këtë ekip për të realizuar objektivat e tij. Ai njihet si një trajner shumë kërkues dhe sistematik në punën e tij dhe për këtë arsye, pritet të bëjë mirë edhe në drejtimin e Haukar.

Edhe pse i ri në moshë, Silvan Çokajt po i bëhen disa vite që drejton si trajner. Ai e ka nisur këtë detyrë, duke drejtuar një nga ekipet e moshave të Akademisë Shkodra. Ndërkohë që, më pas Çokaj është larguar nga Shqipëria drejt Islandës, teksa ka marrë edhe aprovimin nga Federata islandeze e futbollit për të qenë trajner në vendin ishullor.

Në fakt, kuptohet që trajneri shkodran 35-vjeçar ka shumë ambicie të mëdha për të bërë mirë në krye të ekipit të ri të Haukar që do të drejtojë këtu e tutje. Megjithatë, pritet të shohim konkretisht frytet e punës që trajneri Silvan Çokaj do të bëjë në Islandën e vikingëve.
Maringlen ZHIVANI