Pasi mbylli edhe epokën numër dy te Barcelona, Dani Alves tashmë është transferuar në Meksikë ku bën pjesë e klubit të Pumas. Dhe, duket se largësia me katalanasit dhe Europën, bën që braziliani të flasë hapur për disa tema të cilat kur ishte pjesë e blaugranave ka preferuar të qëndrojë i heshtur apo të shfaqet diplomat.
Fjala është për Cristiano Ronaldon, teksa mbrojtësi së fundmi është shprehur se tashmë që nuk është pjesë e Barcelonës, mund të tregojë pa u ndikuar nga të tjerët atë se çfarë mendon në të vërtetë për yllin portugez. Alves thekson se e vlerëson tejmase CR7 dhe se këtë ia ka thënë atij personalisht kur janë përballur në fushë.
“Mua më pëlqen shumë Cristiano Ronaldo, tani që nuk jam te Barça dhe nuk është dueli i famshëm kundër Real Madrid, mund të shprehem lirisht. Për të gjithë ne që nuk kemi atë kualitetin e jashtëzakonshëm, Cristiano personifikon punën duke vërtetuar se me punë mund të arrihet gjithçka, madje të sfidosh edhe më të mirët. Ai është shembulli më i mirë për këtë, unë e respektoj shumë dhe kur jemi takuar në fushë si kundërshtarë kam pasur mundësinë t’ia them diçka të tillë.
Në të kaluarën kemi pasur mosmarrëveshje, ai nuk më përshëndeti njëherë në ceremoninë e Topit të Artë, por nuk ishte asgjë e madhe. Si mos të respektoj unë dikë që gjithçka e ka arritur me punë, unë identifikohem me të. Gjithçka në jetën time e kam bërë duke u bazuar tek puna.
Nëse do të krahasoheshim, unë ngjasoj me Ronaldon më shumë se sa ngjason Messi me të. Kjo për faktin e kulturës së punës. Kam punuar të gjithë jetën për të arritur ato suksese, nuk ishte talent i pastër. Sigurisht, talenti ka një përqindje të caktuar, por puna ka pjesën më të madhe. Këtë bën edhe Ronaldo. Patjetër që ka talent dhe shumë madje, por puna bën që ai të konkurrojë me Messin dhe me këdo tjetër”, tha Dani Alves.