Fatjon Andoni është një 27-vjeçar me origjinë nga Dukati i Vlorës dhe prej tre sezonesh është lojtari shqiptar më i aktivizuar në Superligën greke me klubin e AEL Larisës. Mirëpo, edhe pse vlerësohet në maksimum nga mediat greke për performancën e tij si mesfushor qendre, ai asnjëherë nuk ka marrë një ftesë nga Kombëtarja shqiptare.

Është përfolur shumë në periudhën kur trajner ishte Xhani De Biazi, por edhe së fundmi me Kristian Panuçin. Gjithsesi, asnjë shans për mesfushorin që mban edhe shiritin e kapitenit të Larisës, duke vazhduar më së miri traditën e shqiptarëve te kjo skuadër, nga ku më i famshmi ka qenë i ndjeri Lefter Millo.

Familja e Andonit ka emigruar në Greqi në vitet ’90 dhe nuk ka dashur kurrë që lojtari të angazhohet me përfaqësueset e moshave helene, edhe pse mundësitë i ka pasur disa herë. Por, durimi e ka një kufi dhe babai i lojtarit, Leonard Andoni, tregon të gjitha prapaskenat e asaj që ai e cilëson si mosdhënie haku të të birit nga FSHF.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, babai i mesfushorit flet për bisedën me presidentin Armand Duka, kontaktet me De Biazin dhe deri te Panuçi. Gjithashtu, ai tregon edhe habinë e trajnerit italian të Larisës, Xhianluka Festa, rreth mosthirrjes së Fatjonit në Kombëtare.

“Personalisht kam folur me Dukën direkt, por me keqardhje mund të them se më ka gënjyer, duke më anashkaluar me idenë se nuk dashka trajneri. Djalin ma kane injoruar sepse duan te marrin ne kombetare futbolliste kosovare te cileve u marrin leke”-thote babai i futbollistit.