Safet Gjici nuk heq dorë lehtë nga titulli kampion, por ndryshe nga herët e tjera, këtë sezon është me këmbë në tokë, duke i dhënë kohë ekipit të shpalosë vlerat në fushë gjatë nisjes së kampionatit. Në një prononcim për “RTSH Kukësi”, kryebashkiaku dhe njëkohësisht Presidenti i Nderit i Kukësit, beson se më në fund është krijuar një ekip konkurrues, për më tepër që tani luajnë në shtëpinë e tyre. Gjici ngacmohet edhe për sezonin e kaluar, duke mos harruar t’ia vërë fajin Longos.

“Kukësi është duke vijuar fazën përgatitore në Stamboll dhe nga informacionet që kam nga trajneri dhe stafi, deri tani gjërat kanë shkuar mirë në stërvitje. Besoj se Kukësi e ka marrë formën e vet dhe në stadiumin tonë me kushtet e tjera, besoj që do të bëjmë një ekip solid për të konkurruar denjësisht në kampionat”, u shpreh fillimisht Gjici në lidhje me informacionet që ka marrë për fazën përgatitore.

OBJEKTIVAT – Kryebashkiaku ndalet edhe te merkatoja, ku sipas tij me dy ndërhyrje ekipi thuajse kompletohet, ndërsa thekson se synimi është titulli kampion. “Sipas trajnerit dhe stafit, do të na duhen dy ndërhyrje në dy reparte që të kompletohet e gjithë skuadra. Blerjet që janë bërë besojmë që do të japin maksimumin për të luftuar për titull.

Gjithsesi, është shpejt për të folur, sepse lojtarët e rinj duan një kohë të lidhen me pjesën e tjetër të ekipit, për të dalë më pas në një përfundim teknik që blerjet janë në rregull me forcën që ka kampionati. Do të jetë shumë konkurrues, sepse 3-4 ekipe bëjnë merkato çdo vit, me Tiranën, Partizanin, Laçin e Vllazninë. Ne duam që të bëjmë një ekip konkurrues për të fituar titullin”, vijoi më tej presidenti.

DËSHTIMI – Në lidhje me sezonin e dështuar, sërish Gjici i qëndron mendimit që ishte ish-trajneri italian Diego Longo ai që gaboi gjithçka, me ndërhyrjet që bëri në merkaton e janarit. “Vitin e kaluar në dy fazat e para ishim shumë mirë, ku edhe mund të dilnim kampion, por në dy fazat e dyta besoj ishte faji totalisht i trajnerit që e shkatërroi ekipin. Ishim një skuadër që dy fazat e para ishte solide me lojë dhe rezultate, me pak diferencë pikësh me Tiranën.

Më pas, në dy fazat e dyta bëmë shumë keq, ku nuk arritëm të kapim dot edhe Europën. Faji ishte i trajnerit, ku ndërhyri vend e pa vend dhe përzuri disa lojtarë, si Daci, për të cilin tani më thonë që ka shpërthyer dhe është shumë mirë. Apo Peposhi, që ish-trajneri i largoi kundër dëshirës së klubit. Ai në fakt nuk pësoi gjë, sepse e pësoi klubi”, sqaron Gjici.

STADIUMI – Në fund presidenti ndalet edhe te stadiumi, i cili pati probleme gjatë kësaj periudhe me fushën. Sipas tij, gjithçka do të jetë gati më 20 gusht ndaj Tiranës. “Tapeti ka pasur disa probleme edhe për shkak të thatësirës, por edhe disa dëme që na shkaktoi një përfaqësues i Federatës që mban fushën e Elbasanit. Por, tani e ka marrë veten, kanë ardhur specialistë të tjerë e besoj që fusha do të jetë optimale kur të vijë koha për ndeshjen me Tiranën.

Fusha ka ndryshuar totalisht, ku është mbjellë bari edhe aty ku ka pasur probleme dhe po trajtohet çdo ditë. Fusha stërvitore është drejt përfundimit. Ne si bashki e kemi mbyllur pjesën tonë dhe tani e ka federata me ekipin turk që ka kontratë për të shtruar tapetin. Ka disa probleme stadiumi sa i përket sistemit të kontrollit të biletave dhe do të vijnë ta vendosin dhe besojmë që para ndeshjes me Tiranën kompleksi do të jetë funksional”, përfundoi kryebashkiaku i Kukësit.