Akuza për vjedhje, borxhe, prokurori dhe deri te një referendum për Vllazninë. Në Bashkinë e Shkodrës ka nga të gjitha kur diskutohet për klubin kuqeblu. Situata kaotike ka sjellë dje përplasje mes anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Nuk ka munguar as tensioni.

Pas një pushimi 10- minutësh, gjatë daljes nga salla, administratori i Vllaznisë, Suad Lici, i është drejtuar anëtarit të këshillit, Arbis Vjerdha: “Hajdutë janë ata shokët tuaj. Ato shih ti…”. “Panorama Sport” ka ndjekur nga afër të gjitha diskutimet dhe zbardh disa nga debatet më pikante.

OLTION LULI (anëtar i asamblesë Vllaznia sh.a PS): “Që në dhjetor të 2018-ës anëtarëve të këshillit mbikëqyrës u ka mbaruar mandati. Sot nuk e shoh në pikat e rendit të ditës këshillin mbikëqyrës dhe propozoj që në rend dite të futet edhe votimi për këshillin mbikëqyrës”.

ARBIS VJERDHA (anëtar i asamblesë Vllaznia sh.a): “Mos bini në gropën e kryetares së bashkisë, por kërkoni llogari se nuk i lan as lumi Buna e Drin me atë që kanë bërë me Vllazninë. Mund ta fusni në rend dite, por po bëni diçka të gabuar dhe do votoni vjedhjen që bëhet tek akademia Vllaznia. Po votoni drejtorin teknik që merr pagën dhe nuk është në punë, sepse ka muaj që nuk është në Shqipëri fare”.

BRISELA KADIA (kryetare e asamblesë së Vllaznia sh.a): “Që në dhjetor të 2018- ës, këshillit mbikëqyrës i është mbaruar mandati dhe nuk ka pasur një këshill tjetër të emëruar nga kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi. Pa u miratuar pasqyrat financiare të 2018-ës, që i kemi në rend dite, nuk mund të regjistrohet në QKB as këshilli mbikëqyrës”.

OLTION LULI (anëtar i asamblesë Vllaznia sh.a PS): “Unë do propozoj 5 emra dhe pastaj nëse të tjerë kanë emra të tjerë, mund t’i propozojnë. Atëherë unë propozoj për anëtar të këshillit mbikëqyrës Myzafer Bushin, Agron Okajn, Hysen Zmijanin, Mhill Shkambin dhe Fatjon Nurjan”.

JONA LEQEJZA (anëtare e asamblesë së Vllaznia sh.a): “Është retorikë boshe se çfarë ka ndodhur me Vllazninë me atë se çfarë do të ndodhë. Kritika që dëgjova më përpara e bazuar në pesë emra të nderuar dhe profesionistë nuk m’u duk e drejtë, sepse duke dashur të sulmohet politikisht një grup, cenon integritetin e atyre emrave të propozuar. Të propozuarit nuk kanë asnjë lidhje partiake”.

ARBIS VJERDHA: “Kjo e politizuar është për sa kohë vijnë pesë emra nga PS. Retorikat boshe i bëni ju dhe jo unë. Borxhi është 1 miliard e 800 milionë lekë të vjetër dhe bordi i ri duhet të merret me këtë punë se si janë krijuar dhe t’i dërgojë në prokurori dhe ku të dojë”.

 SUADA SELIMAJ (anëtare e asamblesë PSD): “Unë them që sot këshillin mbikëqyrës ta kalojmë vetëm parimisht, pra pa emra, sepse pa dashur që t’u futem arsyeve politike, kjo duket qartazi. Është mbledhur një grup që ka diskutuar dhe ka arritur edhe në emra konkretë, në një kohë kur grupet e tjera këtu kanë qenë në dyshim nëse do miratohet apo jo ky bord. Të vijmë në mbledhjen tjetër dhe t’i miratojmë”.