Suad Lici duhet të japë shpjegime në Komisionin e Etikës. “Panorama Sport” ka mësuar se administratori i klubit të Vllaznisë ka dribluar FSHF-në dhe Komisionin e Etikës, pasi është thërritur prej më se dy javësh nga ky komision në federatë për të dhënë shpjegime në lidhje me deklaratat që pati thënë në një studio televizive.

“Vllaznia është skuadra më e pastër që ka luajtur futboll deri tani. Luhet më shumë jashtë fushe sesa brenda fushës. Presidenti i Bylisit ka ndërhyrë tek arbitrat që kanë gjykuar takimet mes Vllaznisë dhe Bylisit”, pati deklaruar Lici.

“DRIBLIMET”

Gazeta ka mësuar ekskluzivisht se administratori i klubit shkodran ka dribluar kërkesën e Etikës për të deponuar në lidhje me këto deklarata. Gazeta ka mësuar se Lici është përgjigjur me një arsyetim i cili e ka justifikuar mospraninë e tij në këtë seancë prej disa ditësh.

Në vijim, me gjasë ditën e enjte, Lici do të duhet që të jetë në FSHF përballë anëtarëve të Komisionit të Etikës për të dhënë shpjegime rreth deklaratave publike që ka bërë.

PËRGJIGJJA E KAPLLANAJT

Duke akuzuar skuadrën e Bylisit, ishte presidenti i këtij të fundit që reagoi kundrejt administratorit të kuqebluve. Lidhur me këto deklarata të drejtuesit të klubit shkodran Kapllanaj ka reaguar menjëherë për “Panorama Sport” duke deklaruar se do t’i drejtohet prokurorisë lidhur me këto akuza.

“Jam habitur nga deklaratat e administratorit të Vllaznisë, Suad Lici, që janë të pavërteta. I kërkoj që t’i tërheqë ato shpifje që ka thënë duke kërkuar falje publike. Në të kundërt, për prishje të imazhit tim si president dhe për akuza të pavërteta duke shpifur dhe hedhur baltë në mënyrë të padrejtë, do të bëjmë kallëzim penal në prokurori”, tha presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, në reagimin zyrtar.