Një ngjarje e rëndë është publikuar në mediat në Bosnjë Hercegovinë ku sulmuesi Ante Zivkoviç ka denoncuar klubin e Kukësit për situatë pengmarrje, kërcënimi dhe akte dhune për ta detyruar të prishë kontratën me klubin. Sindikata e Futbollistëve në Bosnjë Hercegovinë ka ndërhyrë për të marrë në mbrojtje lojtarin dhe ka denoncuar këtë rast duke bërë të ditur që do i drejtohet FIFA-s.

Pas publikimit, ka ardhur një reagim zyrtar nga klubi i Kukësit, që bën të ditur se do të çojë Zivkoviç në gjyq për prishje imazhi, duke treguar të vërtetën e tij.

REAGIM I KLUBIT

Futboll Klub Kukësi hedh poshtë të gjitha akuzat e publikuara ditën e sotme në media nga futbollisti Ante Zivkoviç për kërcënime dhe dhunë nga ana e klubit!

Sulmuesit Zivkoviç i është komunikuar nga klubi se nuk bën pjesë në planet e klubit dhe është thirrur për të mbyllur bashkëpunimin në përputhje me kontratën. Në këtë mënyrë, klubi i ka paguar futbollistit shumën e parashikuar në kontratë për mbylljen e bashkëpunimet.

Për shkak se klubi e ka larguar futbollistin si të padëshiruar, Zivkoviç ka hedhur akuza të pabaza ndaj Kukësit duke tentuar të dëmtojë imazhin.

Për deklaratat e dhëna dhe akuzat e hedhura, klubi i Kukësit do ti drejtohet instancave më të larta për prishje imazhi. Për këtë, FK Kukësi ju garanton se gjithçka ka ndodhur është e faktuar me pamje filmike dhe provat do të vihen në shërbim të instancave përgjegjëse.

Klubi i Kukësit ka qenë ndër vite një klub korrekt me futbollistët dhe jo vetëm e kurrë nuk mund të lejojë që një futbollist i larguar, të tentojë të prishë imazhin e klubit.