Panik te kombëtarja franceze, kur duhen më pak se 24 orë nga finalja e madhe e Kupës së Botës ndaj Argjentinës. Sipas të përditshmes franceze “La Chaine – L’Equipe”, kanali televiziv i gazetës së famshme sportive, sulmuesi i Milanit, Olivier Giroud, vuan nga një problem në gju.
Sipas medias, Giroud është në dilemë për ndeshjen e nesërme ndaj Argjentinës, teksa ka patur shqetësime pas seancës së fundit stërvitore. Një lajm që ka prishur mjaft planet e trajnerit Didier Deschamps, që është duke studiuar alternativa për ndeshjen finale.
Giroud ka qenë titular në këtë botëror, duke qenë vendimtar me lojën e golat e tij. Një lajm që ka befasuar të gjithë, sidomos pas problemeve shëndetësore që kanë patur disa sportistë.
Gjithsesi, mediat franceze shtojnë se stafi mjekësor po bën gjithcka për të bërë të mundur rikuperimin rekord të sulmuesit.