Kampionati shqiptar po shkon drejt fundit dhe duket se ai do te dhuroje te papritura deri ne fund. Alban Tafaj, ish futbollisti, e ka analizuar ecurine e disa skuadrave ne nje interviste per “Sport News” teksa eshte ndalur edhe tek ekipet kryesuese, duke folur edhe per Vllaznine.
“Me organikën që ka Vllaznia, me atmosferën që krijon tifozeria shkodrane, mendoj se janë në rrugën e duhur. Kanë një qetësi të jashtëzakonshme nga stafi, kjo më pëlqen jashtëzakonisht shumë.
Egnatia javët e fundit ka pasur pak oshilacione, kjo dhe për shkak të distancës që kishte krijuar me rivalët. Është një skuadër me një organikë të jashtëzakonshme, me një trajner të ri, por me ego për ta çuar lart. Është krijuar një entuziazëm në qytet, por e theksoj elementet që ka kjo skuadër është pjesa më e bukur, është me meritë aty ku është.
Tirana duhet të kthejë besimin te vetja dhe te kthehet te rezultatet pozitive, pra të mos i var shpresat në momentin e fundit, kjo është kryesorja dhe t’i marrë ndeshjes hap pas hapi. Ka një punë të vështirë pasi janë forcuar shumë edhe ekipet e tjera, ka ekipe si Dinamo dhe Skënderbeu që vijnë nga kategori më poshtë, por që kanë shfaqur pretendimet e tyre për të qenë në final-four. Ky presion ka ndikuar jo pozitivisht te Tirana, sepse mendohej se e kishte të sigurt prezencën në final-four, por ndodhi e kundërta, kjo e ka tronditur pak Tiranën. Mosrenditja në katërshen e parë do të ishte dështim. Mos pjesëmarrja në katër vendet e para, mes ekipeve më të mira të Shqipërisë, do të ishte një dështim sezonal.
Sa i takon Partizanit, çdo ndryshim stafi ka problematikën e saj, pasi çdo trajner do të sjell filozofinë e vet. Çdo skuadër merr “fytyrën” e trajnerit, mbase kjo kimia nuk ka arritur akoma te Partizani, pra Shehi nuk ka arritur ende të transmetoj atë mentalitet, atë energji, atë filozofi për të bërë më të mirën. Mbase në fillim të sezonit do të ishte më mirë, pasi do ta ndërtonte vetë skuadrën, por që për çdo trajner profesionit nuk ka justifikim për të thënë “këtë ekip gjeta dhe këtë po drejtojë”. Në çdo moment, në çdo kohë, çdo trajner jep maksimumin e tij për të arritur qëllimin dhe objektivin që ka skuadra”./www.shkodrasport.com/