“Kemi bërë nisjen që duhet në këtë sezon. Kemi arritur atë objektiv që kemi pasur në çdo takim. Përballë kishim skuadrat që janë pretendente në këtë sezon, por kjo nuk do të thotë që kemi përfunduar gjithçka.

Është ende herët për të menduar veten në Superiore. Kjo do të na bënte që të gabojmë. Për ne është e rëndësishme që skuadra po funksionon mirë dhe gjithçka është siç duhet. Por, unë them se rruga është e gjatë deri në fund.

Ndaj nesh të gjithë skuadrat kanë një mobilizim tjetër. Në transfertë, takimet tona do të jenë të vështira, por ne duhet që të bëjmë maksimumin në çdo sfidë dhe të marrim pikët e plota”, ka thënë Sherri për gazetën.

Statistikat
Sherri, në këto katër takime, ka pësuar vetëm një gol, atë në takimin e parë ndaj Korabit. Sherri, për më shumë se 270 minuta, ka mbajtur të paprekur portën e tij dhe kjo e bën të kënaqur portierin, por edhe rrit presionin ndaj tij që të japin më të mirën për të thyer të tjera rekorde pozitive.

Ai e ka fituar vendin në formacion, ndërsa është portieri më i mirë me vetëm një gol të pësuar në Kategorinë e Parë. “Është kënaqësi që të ruaj për shumë takime portën e paprekur. Kjo nuk është një meritë vetëm e imja, por e gjithë ekipit që po luan mirë në mbrojtje.

Unë po bëj detyrën time, por edhe skuadra po e bën shumë mirë atë. Besoj që një gjë të tillë ta bëj edhe në takimet e ardhshme, por e rëndësishme është që edhe nëse pësojmë, të arrijmë që të shënojmë”, vijoi portieri kuqeblu.

Vllaznia ka një takim sërish në fushën e vet, ndaj fqinjit më të afërt, ekipit të Veleçikut. “Nuk ka takime të lehta. Nuk kemi vend për nënvlerësim. Nëse do të nënvlerësojmë, atëherë mund të gabojmë. Ne kemi vetëm një objektiv, ngjitjen në elitë dhe nuk duhet të gabojmë”, tha Sherri.