Shqiptarët çdo ditë e më shumë po bëhen protagonistë në futbollin italian. Duke filluar nga Seria A, ku numri i tyre është më i madh se çdo herë tjetër dhe duke përfunduar në të gjitha grupmoshat. Kjo falë faktit që tashmë fëmijët e atyre që kanë emigruar në këtë vend pas viteve ’90, janë rritur dhe po formohen si futbollistë në Akademitë e klubeve më të njohura.
Njëri prej tyre është edhe Alen Vukaj, i cili prej 5 vitesh është pjesë e Interit dhe madje një muaj më parë u shpall kampion i Italisë me ekipin U14 të tij duke mundur në finale Empolin me rezultatin 3-2.
Prindërit e tij kanë emigruar nga Shkodra 20 vjet më parë dhe Alen vetë ka lindur në Itali më 22 janar të vitit 2008. Si çdo fëmijë e ka filluar futbollin me ekipet e zonës, por menjëherë spikat për aftësitë e tij dhe padyshim që e ardhmja do të ishte në Akademitë e njohura të futbollit të këtij vendi.
Dhe në fakt kështu ndodhi. Që në moshën 9 vjeçare do të afrohej pranë Interit, aty ku ka mbyllur para pak ditësh sezonin e tij të pestë dhe bëhet gati të nisë të gjashtin.
Një element që dallohet menjëherë për talentin e tij dhe jo më kot vazhdon të jetë pjesë e këtij klubi të mirënjohur me ekipet e tij të moshave. Luan në të gjithë repartin ofensiv, por kuptohet që pozicioni i tij i preferuar është ai i trekuartistit. Mban fanellën me numrin 10 dhe padyshim që stafi i Interit e vlerëson jashtëzakonisht shumë.
Paraqitjet e tij të mira me të, kanë bërë që edhe stafi i ekipeve tona kombëtare t’i hedhë sytë menjëherë drejt tij dhe në fillim të qershorit Alen Vukajt i ka shkuar ftesa e parë për të qenë pjesë e kombëtares U15 të Shqipërisë, por për arsye personale e ka patur të pamundur të jetë i pranishëm.
Megjithatë Alen dhe familja e tij këto ditë ndodhen në Shkodër dhe në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” shprehet i lumtur për ftesën që ka marrë për të përfaqësuar Shqipërinë. “Të vesh fanellën kuqezi padyshim që ka qenë një ëndërr e imja që në momentet e para kur kam nisur të luaj futbolli dhe sigurisht që në grumbullimin tjetër të kombëtares do të jem i pranishëm për të dhënë kontributin tim për të”.
Gjergj KOLA