Tek Vllaznia U19 sivjet po rritet një brez lojtarësh me të dhëna shumë të mira dhe që premtojnë për të ardhmen. Në fakt, janë një brez, tek i cili i kanë hedhur sytë prej kohësh drejtuesit e Akademisë dhe ato të klubit.
Dy prej këtyre lojtarëve, janë edhe dyshja e mesfushës, Paulo Pjeshka dhe Rejan Alivoda. Kështu, që të dy, në shumë ndeshje, kanë bërë përformanca të shkëlqyera, ku nën drejtimin e Vioresin Sinanit, janë bërë protagonistë në shumë ndeshje, teksa u janë bërë ndihmesë ekipit të tyre në marrjen e shumë trepikëshave.
Pjeshka është një mesfushor, i cili luan në të gjitha pozicionet e mesfushës dhe spikat me atë çfarë tregon në fushën e lojës. Edhe pse shtatshkurtër, ai është një lojtar që menjëherë të bën për vete nga mënyra si luan.
Sivjet, ai është thirrur herë pas herë edhe nga ekipi i parë i Vllaznisë, teksa edhe ka luajtur në disa ndeshje kupe. Deri më tani, nga sa është parë, duket se Pjeshka për momentin është një lojtar i domosdoshëm në formacionin e trajnerit Sinani.
Paraqitjet e tij në fushë gjatë ndeshjeve të këtij sezoni që ekipi ka zhvilluar, kanë qenë pozitive, teksa ka shënuar edhe 11 gola në 19 ndeshje të luajtura. Pjeshka luan në mesfushë dhe ka një përdorim të mirë të topit dhe shpesh herë prej tij nuk mungojnë edhe golat e shënuar, teksa dallohet si një njohës i mirë i portës.
Megjithatë, jo vetëm kaq, pasi nga ana tjetër një lojtar me të ardhme, është edhe mesfushori Rejan Alivoda. Shtatëlartë dhe me një fizik të mirë, ai është një lojtar që menjëherë të bën për vete nga mënyra si luan.
Alivoda është dashuruar që herët me futbollin dhe duket se ai, pas dëmtimit që e mbajti larg fushave, do të rifitojë shumë shpejt një vend në formacion nga ana e trajnerit Sinani. Paraqitjet e tij në fushë gjatë ndeshjeve të kampionatit që ekipi ka zhvilluar, kanë qenë pozitive, teksa ka shënuar tre gola në 11 ndeshje të luajtura.
Alivoda luan në mefushë dhe me trupin e tij të bëshëm, është e vështirë për t’u kaluar nga kundërshtarët. 18-vjeçari luan mirë me topin dhe shpesh herë hedh sytë edhe nga porta kundërshtare, madje dallohet si një njohës i mirë i portës, teksa prej tij nuk mungojnë edhe golat e shënuar.
Duhet thënë se të dy lojtarët, si Pjeshka, ashtu edhe Alivoda, janë pjesë e ekipit U19 të Shqipërisë, teksa që të dy mund të konsiderohen si futbollistë me tepër cilësi. Paulo Pjeshka dhe Rejan Alivoda, duhet të tregojnë se janë të gatshëm për ekipin e parë, teksa që të dy janë një garanci për të ardhmen e mesfushës së Vllaznisë.
Maringlen ZHIVANI