Juventusi i Max Allegrit përgatitet për ndeshjen kundër Lecces, një sfidë vendimtare në garën për një vend në Champions League. Bardhezinjtë duhet të reagojnë pas një muaji prill shumë të dobët, gjatë të cilit kanë arritur vetëm 2 fitore, e fundit në kampionat përballë Veronës një muaj më parë.

Në dispozicion të teknikut rikthehet Angel Di Maria, që mungoi ndaj Bolognas për shkak të një dëmtimi në kavilje: “Dhimbja i kaloi. Është i gatshëm dhe do të jetë pjesë e lojës, është një lojtar i jashtëzakonshëm. Alex Sandro do të qëndrojë pushim në këtë takim, me shumë mundësi edhe Rabiot”, ka thënë Allegri.

“Bilanci duhet bërë në fund të vitit, kemi 2 objektiva për të arritur që janë Europa League dhe një vend mes 4 të parave në kampionat.

Po punojmë që të kthehemi të luftojmë në kampionat deri në fund, këtë vit nuk ia dolëm sepse ka qenë një vit i pasur me ngjarje brenda dhe jashtë fushës. Tani fillon një mini-kampionat për ne dhe objektivi është të arrijmë Lazion”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Juventusit.