Nga Gjergj KOLA

Vllaznia e viteve ’70- ’80 ka mbetur në mendjen e të gjithëve sepse në ato vite fanellën e kësaj skuadre e veshën shumë emra të shquar të futbollit shkodran dhe shqiptar dhe njëri prej tyre është padyshim edhe protagonisti i këtij shkrimi- Luan Vukatana.

Për këtë figurë të madhe të futbollit, dita e sotme është shumë e veçantë sepse ai feston 65 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast gazeta “Shkodra Sport” i uron atij edhe 100 vite të tjera të lumtura! Një futbollist i madh që ka dhënë shumë për Vllazninë dhe kombëtaren shqiptare, por që ka marrë pak prej tyre.

Kemi të bëjmë me një futbollist i cili ka fituar 5 trofe me ekipin e Vllaznisë, ka qenë për 8 vjet anëtar i ekipeve tona kombëtare, fitues i anketës së “10 Sportistëve më të mirë të Shqipërisë” në një vit, fitues i anketës së “11-shes më të mirë të Vllaznisë në vite”, etj, etj.

Luan Vukatana ka lindur në Shkodër më 13 janar të vitit 1959 dhe ka kontribuar për 14 vite për Vllazninë si futbollist, pa përmenduar pastaj edhe kontributin e dhënë për disa vjet edhe si trajner, raporton shkodrasport.com

Ai iu bashkua ekipit të të rriturve (viti 1975), atëherë kur pjesë e kësaj skuadre ishin edhe emra të mëdhenj si Sabah Bizi, Medin Zhega etj dhe e mbylli në fundin e viteve ’80. Gjatë karrierës së tij ka luajtur rreth 200 ndeshje në kampionat me fanellën kuqeblu, ka shënuar 40 gola dhe ka fituar 5 trofe.

E detyruan të largohej nga futbolli në kulmin e formës së tij, megjithatë Luan Vukatana e kishte bërë atë çfarë duhej të bënte në futboll. Kishte rënë në sy për talentin e tij, për fantazinë në lojë, teknikën, rrezikshmërinë për kundërshtarin, pasionin dhe dëshirën për të fituar gjithmonë, raporton shkodrasport.com

Në gjysmën e dytë të viteve ’70 dhe në vitet ’80 Vukatana ka qenë një nga mesfushorët- sulmues më të mirë të krahut në futbollin shqiptar. Të mos harrojmë se ka qenë vetëm 19 vjeç kur luante në formacionin e Vllaznisë në vitin 1978 në ndeshjen dhe fitoren e madhe 2-0 ndaj Austrisë së Vjenës.

Ka qenë në formacionin e kombëtares shqiptare në ndeshjet e saj të mëdha ndaj Gjermanisë, Irlandës së Veriut, Turqisë etj dhe gjithmonë ka dhënë më të mirën e tij. Për të gjithë këtë karrierë, dy vite më parë u nderua me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, titull që e meriton./SHKODRA-SPORT.COM/


TROFETË E LUAN VUKATANËS:

– Fitues i titullit Kampion i Shqipërisë me ekipin e Vllaznisë ne vitet 1978 dhe 1983.

– Fitues i Kupës së Republikës po me ekipin e Vllaznisë përkatsisht në vitet 1979, 1981, 1987.

– Lojtar i përfaqësueses së Shpresave dhe Kombëtares së Shqipërisë nga viti 1976 deri në vitin 1984.

– Fitues i anketës: Futbollisti më i mirë i Shqipërisë (10 sportistët më të mirë të vitit) në vitin 1983.

– Pjesë e 11-shes më të mirë të Vllaznisë në 80 dhe 90 vjetorin e saj.